English

Familja e Remzi Hoxhës: Drejtësia të ekstradojë Ilir Kumbaron

Prishtinë, 10 tetor, NOA – Familjarët e biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha kërkojnë nga drejtësia shqiptare ekstradimin e Ilir Kuimbaros nga Anglia në Shqipëri, me qëllim zbardhjen e të vërtetës për të afrimin e tyre. Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës në një konferencë dhënë për mediat dhënë sot, deklaron se faktet e reja tregojnë se Ilir Kumbaro është personi përgjegjës.

“Jemi këtu për shkak se është lajmëruar që më 14 tetor Gjykata e Lartë e Shqipërisë kthen për gjykim çështjen e Ilir Kumbaros, ish-shikasit që rrëmbeu, torturoi dhe më pas zhduku babain tim, Remzi Hoxhën, 16 vite më parë. Jemi këtu për t’i treguar Drejtësisë së Shqipërisë se vendimi i tyre i stërvonuar është duke u pritur nga çdo Shqiptar, kudo që jeton. Ky vendim do t’i dëshmojë çdo Shqiptari nëse në Shqipëri ka Drejtësi, apo Drejtësia është akoma e uzurpuar nga klanet mafioze shtetërore”, tha Ardian Hoxha.

Ai ju referuar një emisioni televiziv, në të cilin rezulton se Shaqa Shatri, identiteti me të cilin Rezmi Hoxha ka jetuar në Angli, është gjallë dhe ka dëshmuar për humbjen e dokumenteve disa vite më parë.

“Pak ditë më parë ishim dëshmitarë të dokumentarit në News 24 të Shaqa Shatrit i cili akoma është i gjallë dhe jeton në fshatin Kushnin të Kosovës. Ai në detaje tregoi se si i është vjedhur dokumentacioni dhe identiteti i tij, dhe u deklarua se e dënon vjedhjen e identitetit të tij nga Ilir Kumbaro dhe përfitimet e tija nga Qeveria Britanike në emrin e tij”, tha Hoxha.

Sipas tij, për mbi 15 vite Ilir Kumbaro fshihet në Britani të Madhe me identitetin e vjedhur të Shaqa Shatrit.

Hoxha ka kërkuar nga drejtësia shqiptare që jap një verdikt për zbardhjen e ngjarjes. “Jemi këtu për të kërkuar nga Drejtësia Shqiptare që të vendos për të drejtën, duke urdhëruar ekstradimin e Ilir Kumbaros për në Shqipëri, dhe të na e dëshmojë se në Shqipëri ka drejtësi. Të na dëshmojë se në Shqipëri mund të jetohet. Të na dëshmojë se Shqipëria nuk i zhduk dhe vret më Shqiptarët nga Maqedonia dhe Kosova. Të na dëshmojë se jemi të mirëseardhur në Shqipëri”, tha Hoxha.

Duke ju referuar fakteve në lidhje me identitetin e Shaqa Shtarit, Hoxha u shpreh se “kjo është një dëshmi e gjallë se Ilir Kumbaro nuk e ka aspak problem të merr identitetin e tjetërkujt, ashtu si nuk e kishte problem t’ia merr jetën babait tim”.

Ai ka theksuar dhe faktin se e vërteta për vdekjen e biznesmenit Remiz Hoxha nuk është zbardhur prej disa vitesh. “Për 16 vite jemi duke pritur për drejtësi. Për 16 vite po kërkojmë fatin e babait tim. Për 16 vite po kërkojmë eshtrat e tija. Për 16 vite po mundohemi t’ia bëjmë një varr. Lus Zotin që kjo që i ka ndodhur babait tim dhe familjes time të jetë e fundit në Shqipëri”, tha Hoxha.

Familja Hoxha akuzon për vrasjen e të afërmit të tyre ish-punonjësit e SHIL, Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi.

a.k/NOA

Në Foto: Remzi Hoxha, biznesmeni shqiptaro-maqedonas, i cili është zhdukur 16 vite më parë.

KOMENTE