Ankara, 10 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Presidenti Bamir Topi vlerësoi sot nga Turqia se një klime e qetë politike në vend do ishin primare në një moment kur vendi pret të marrë statusin për vendin kandidat për në BE. Në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe delegacioni zyrtar shqiptar u pritën sot dhe nga Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek. Siç bën të ditur zyra për shtyp e Presidentit, në këtë takim kreu i shtetit shqiptar, Topi vuri në dukje disa prej përpjekjeve të shtetit shqiptar për realizimin e reformave të rëndësishme në vend, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në përmbushjen e kritereve dhe të detyrimeve që rrjedhin nga aspirata e vendit tonë për t’u integruar në Bashkimin Evropian. “Një klimë e qetësuar dhe e stabilizuar politike në vend, po ashtu dhe një bashkëveprim dhe koherencë e vendimmarrjeve të rëndësishme në këtë kuadër, do të ishin primare në këtë situatë, kur vendi ynë pret të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. I takon klasës politike shqiptare që të reflektojë më tepër në këtë situatë duke parë dhe vendosur si prioritare në agjendën politike dhe interesat madhore të qytetarëve shqiptarë, sot e për të ardhmen”, tha presidenti Topi.
Nga ana e tij Kryeparlamentari turk vuri në dukje se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit politike në Shqipërinë mike e fqinje me dëshirën e mirë për një finalizim pozitiv të aspiratës integruese të shtetit dhe të popullit shqiptar, duke vlerësuar dhe rolin institucional të Presidentit Topi në këtë drejtim.
Topi takim me homologun turk Gyl
Më herët presidenti shqiptar Bamir Topi është takuar me presidentin tuk Abdullah Gyl. Sipas njoftimit zyrtar publikuar në faqen online të presidencës, Topi theksoi marrëdhëniet shumë të mira ekonomike e politike mes dy vendeve. Të njëjtat vleresime, por për Shqipërinë u shprehën më pas dhe nga ana e Presidentit turk, Gyl. “E kam të fresktë Nëntorin kur Gyl nënshkroi para meje protokollin që i jepte mbështetje Shqipërisë për NATO. Ne sot jemi së bashku ne aksione të shumta ushtarake dhe forcat komando shqiptare krahas ushtarëve të Turqisë janë së bashku në misione paqeruajtëse”, tha presidenti Topi. Kreu i shtetit tha se, përveç marrëdhënieve shumë të mira tregtare mes dy vendeve është dhe një anë tjetër, ajo sociale ku përmendi shkollat e spitalet turke në Shqipëri. “Në Shqipëri ekzistojnë shkolla turke, universitete turke, qendra spitalore turke dhe mund të rikonfirmoja edhe një herë atë që thashë në bisedime se këto janë qendra, të cilat ofrojnë cilësi dhe na inkurajojnë që ato të shtohen, sepse kanë në vetvete jo vetëm kualitetin, por përmbledhin në vetvete dhe dëshirën që nga këto shkolla të dalin njerëz që do të punojnë më tej në të ardhmen për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Në Turqi, gjithashtu, ka studentë shqiptarë dhe këto janë marrëdhënie edhe të karakterit historik. Ka pasur studentë shqiptarë që nga vitet 30-të. Por sot, numri i studentëve në Turqi është i konsiderueshëm dhe këto janë vlera reciproke, që ne i ndajmë respektivisht në dy vendet tona”, deklaroi presidenti shqiptar.
Më tej Topi tha se Shqipëria i është mirënjohëse Turqisë dhe për mbështetjen që dha në njohjen e shtetit të Kosovës. “Ne i jemi shumë mirënjohës Turqisë për mbështetjen e veçantë që ka bërë për njohjen e Kosovës. Kosova sot është një vend, i cili afron jo destabilitet, por afron stabilitet në rajonin ballkanik falë një politike të ekuilibruar të institucioneve të Kosovës. Shqipëria nga ana e saj ka një rol shumë të rëndësishëm moderator në Ballkan. Kemi diskutuar së bashku edhe për situatën politike në Bosnje. Pra, Shqipëria dhe Turqia do të punojnë me tej, në një bashkëpunim shumë intensiv për ta forcuar paqen në rajonin ballkanik”, u shpreh Topi. Nga ana e tij, edhe Presidenti Gyl u shpreh në konferencën për shtyp rreth marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Turqisë. "Bashkë me mikun tim President, qoftë në takimin kokë më kokë, qoftë në atë midis dy delegacioneve, konfirmuam vendosmërinë për të rritur dhe për të shtuar këtë bashkëpunim dhe shpreha vullnetin dhe dëshirën për të dhënë mbështetjen tonë teknike në çdo fushë. Kemi marrëdhënie të vazhdueshme politike dhe në të gjitha fushat do e shtrijmë këtë nivel. Është aleati ynë në Ballkan dhe vazhdon bashkëpunimi në këtë kontekst për ta shtrirë këtë stabilitet dhe paqe në të gjithë Ballkanin. Është vizioni i Turqisë që Shqipëria të integrohet në institucionet euroatlantike dhe mbështet, përkrah fuqishëm edhe prirjen, aspiratën evropiane të Shqipërisë. Po ashtu, midis Shqipërisë dhe Turqisë janë të njëjta edhe qasjet për sa i përket çështjeve ndërkombëtare", ka deklaruar Gyl. Më tej Presidenti Gyl theksoi se Shqipëria dhe Turqia janë dy vende që ndajnë dhe vizione të përbashkëta për të ardhmen sidomos në atë ushtarak. a.q/NOA