Tiranë, 10 Tetor 2011 NOA/ Arlinda Koçi - Së fundmi shkenca ka provuar se, gratë janë më të forta në luftimin e sëmundjeve të ndryshme dhe i përballojnë ato më me lehtësi se sa meshkujt. Javën e kaluar, shkencëtarët sugjeruan se, gratë janë të programuara gjenetikisht të jenë më rezistente ndaj infeksioneve, madje edhe sëmundjeve të tilla si kanceri. Një shkrim i botuar në revistën Ese Bio, tregoi se, sekreti i këtij përfundimi është një kopje shtesë e një kromozomi X femëror. Gjithashtu është menduar se një grua ka sasi më të mëdha të disa molekulave, të cilat mund të rregullojnë sasinë e proteinave të nevojshme për sistemin imun. Këto molekula mund edhe të ndalojnë prodhimin e proteinave, te cilat inkurajojnë rritjen e sëmundjes së kancerit. Ky raport i fundit pason një numër të shumtë studimesh, të cilat kanë sugjeruar se gratë janë seksi më i fortë, kur bëhet fjalë për përballim të sëmundjeve. Në një studim, shkencëtarët nga Universiteti Queen Mary, në Londër, zbuluan se, sistemi imunitar i një gruaje mund të mundi një gamë të infeksioneve, në kohë më të shpejtë dhe në mënyrë më efektive se sa një mashkull. Kjo mund të shpjegojë edhe faktin se, gratë edhe pse kanë një tendencë të lartë të ftohen më shpesh (shtatë herë në një vit, në krahasim me meshkujt, të cilat ftohen pesë herë gjatë një viti), ato sërish e mbajnë veten të fortë, duke vazhduar njësoj përkujdesjen ndaj fëmijëve, ndërsa meshkujt kanë më shumë gjasa për të marrë disa ditë pushin në punë. Nga ana tjetër studimi ka treguar se, meshkujt janë më pak të rrezikuar të sëmuren me infeksione të rënda. Në mënyrë paksa të çuditshme, studimi tregoi se, tre të katërtat e grave do të mund të mbijetonin pas një infeksioni të rëndë bakterial, ndërkohë që vetëm një e treta e meshkujve do të mund t’ia dilte mbanë. Dr. Ramona Scotland, pedagoge në Universitetin e Londrës, Queen Mary, tha se ishte habitur me të vërtetë nga rezultatet e një studimi të sistemeve imune të femrave dhe meshkujve. Ajo dhe ekipi i saj shqyrtuan numrin e qelizave të bardha, një pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar, në zorrë dhe mushkëritë e minjve meshkuj dhe femra. “Femrat, të cilat ne kemi ekzaminuar kishin dyfish të numrit të qelizave të bardha. Qelizat imune tek femrat gjithashtu u përgjigjën ndryshe. Ata dukeshin se kërkonin një përgjigje të butë, do të thotë se femra nuk u ndje shumë e sëmurë dhe kreu veprime normale, ndërsa meshkujt ishin më të ngadalshëm në shërim dhe dukeshin se vuanin më tepër, në përballimin e sëmundjes. Ne i kryem studimet tona, tek minjtë, por parashikojmë se të njëjtat përfundime konsistojnë edhe tek njerëzit.” Disa ekspertë besojnë se, dallimi mes sistemit imunitar të meshkujve dhe femrave, duhet të japë trajtime të ndryshme, në kurimin e sëmundjeve, për shkak të kushteve të ndryshme, në të cilat ato ndodhen. Koncepti i mjekësisë, lidhur me këtë eksperiment, është se gjinia mund të jetë një faktor thelbësor për të marrë parasysh hartimin dhe administrimin e trajtimeve të sëmundjeve. a.k/NOA