Prishtinë, 10 tetor 2011, NOA - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i bëri thirrje autoriteteve të larta të shtetit dhe krerëve të partive politike të jenë të bashkuar për të zgjidhur çështjen e veriut të Kosovës. Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, kryeparlamentari Krasniqi deklaroi se vendosmëria e institucioneve të Kosovës dhe gatishmëria e qytetarëve serbë në veri do të kthejnë qetësinë dhe normalitetin në veri të vendit, të bllokuar nga barrikadat. Duke iu referuar idesë për administrim ndërkombëtar të veriut, kryekuvendari Krasniqi tha se një ide e tillë është shumë e rrezikshme, edhe pse, sipas tij, veriu deri më tani është qeverisur nga UNMIK-u dhe EULEX-i. Kryetari i Kuvendit të Kosovës vlerësoi se çfarëdo ideje, që nuk debatohet në forume politike dhe institucionale është e dështuar. “Idetë që nuk debatohen në forume politike apo institucionale të shtetit gjithnjë do të jenë të dështuara dhe me pasoja të paparashikueshme për vendin”, theksoi Krasniqi. Ai apeloi që për të shmangur ngjarje të paparashikueshme dhe për të arritur vendimet në interes të kombit duhet institucionalizuar debati mes partive politike e pastaj mandej edhe në nivelin institucional. Sipas tij çështja e veriut duhet të zgjidhet brenda Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisaarit. Kryeparlamentari Krasniqi foli edhe për çështjen e dialogut mes të Prishtinës dhe Beogradit, duke këmbëngulur se në tryezë duhet të ketë vetëm diskutim për çështje teknike. “Dialog, sigurisht që duhet të ketë, por dialog politik për çështje të brendshme të cilat rregullohen me Kushtetutë, ligje, me marrëveshje ndërkombëtare nuk duhet të ketë”, u shpreh Krasniqi, duke shtuar se dialogu me Serbinë nuk është çështje individuale e askujt, por është çështje e vendimmarrjes së partive politike, e institucionalizuar më pas në Kuvendin e Kosovës. Zoti Krasniqi shpjegoi se “ndërkombëtarët mund të insistojnë, por vendimmarrja është përgjegjësi e jona”. KD/NOA