English

Konventa e Rregullave të Origjinës, Bozdo: Biznesi shqiptar i painteresuar

Tiranë, 10 tetor 2011, NOA – Biznesi shqiptar nuk shfaq interes të bëhet pjesë e Konventës Rajonale të Rregullave të Origjinës Pan-Euro-Med. Sipas Zv.ministrit të METE-s, Eno Bozdo biznesi në vend nuk ka prezantuar asnjë kërkesë apo propozim konkret . Bozdo zhvilloi sot një takim me përfaqësues të biznesit në vendin tonë, veçanërisht me përfaqësues të shoqatave të prodhimit fason të tekstileve dhe lëkurë-këpucëve, me të cilët diskutoi rreth Konventës Rajonale të Rregullave të Origjinës Pan-Euro-Med. “Vlera e procesit të Barcelonës është se në listën e vendeve nga ku Shqipëria mund të importojë shtohen edhe vendet Magrebit, Lindjes së Mesme dhe të EFTA-s! Tashmë ka filluar procesi i rinegociimit të rregullave të origjinës preferenciale. Vendet janë të ndara në 4 grupe, ku në grupin e Ballkanit Perëndimor bën pjesë edhe Shqipëria. Të gjitha vendet duhet të dërgojnë propozimet e tyre për përmirësimin e këtyre rregullave, për thjeshtimin e tyre si dhe për të marrë maksimumin në terma tregtare nga kjo Konventë, gjë që në fund të fundit është edhe qëllimi kryesor i saj dhe i Bashkimit Evropian, si sponsorizuesi kryesor i kësaj Konventë”, tha zv.ministri i METE. Bozdo theksoi se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, që në muajin maj të vitit 2011, ka këmbëngulur të vendosë një marrëdhënie bashkëpunimi me komunitetin e biznesit, për të përgatitur pozicionin e interesave të biznesit shqiptar në këtë proces. Por, sipas zv.ministri të METE, komuniteti i biznesit biznesor nuk ka shfaqur interes për këtë proces, nuk ka dhënë as edhe një sinjal minimal të nevojës se tij për tu përfshirë dhe aq më pak nuk ka prezantuar asnjë kërkesë apo propozim konkret. Përfaqësuesit e biznesit kërkuan që gjatë negociatave pala shqiptare të jetë këmbëngulëse në mbrojtjen e interesave të biznesit shqiptar. a.q/NOA

KOMENTE