Korçë, 10 tetor 2011, NOA – Nga qyteti i Korçës ku vizitoi Universitetin “Fan Noli”, në kuadër të 40-vjetorit të krijimit, kryeministri Sali Berisha uroi studentët shqiptarë në mbarë vendin për nisjen e vitit të ri akademik 2011-2012. Në fjalën e tij drejtuar pedagogëve dhe studentëve, shefi i qeverisë deklaroi se Universiteti “Fan Noli” është shndërruar në vatrën më të fuqishme dhe gjeneratorin më kryesor të dijes e zhvillimit në rajonin e Shqipërisë Juglindore. “Kam besim të madh tek të gjithë stafet akademikë të universiteteve tona se me rezultatet e shkëlqyera që keni arritur deri më sot, me mundin dhe përkushtimin tuaj ne do të ndërmarrim një rrugëtim të pandalshëm drejt niveleve të reja të cilësisë, në mënyrë që këto universitete të mbeten burime të pashuara drite për shoqërinë shqiptare”, u shpreh kryeministri. Kryeministri gjatë fjalës së tij rikujtoi se arritja e standardeve të vendeve të zhvilluara në fushën e arsimit mbetet përparësi e përparësive për qeverinë shqiptare. “Unë dua tu siguroj ju të nderuar pedagoge dhe pedagogë se për qeverinë time, arsimimi dhe shkollimi i të rinjve dhe të rejave, fëmijëve të këtij vendi është dhe do të mbetet përparësia e të gjitha përparësive. Në një hark kohor të shkurtër vetëm në 5 vite ne ia dolëm që një sistem, i cili po degradonte dhe po shembej të vendosej në shinat e zhvillimit”, tha kryeministri. Në këtë suazë kreu i qeverisë i premtoi studentëve të Korçës se qeveria do të bëjë gjithçka për t’i krijuar universiteteve në mbarë vendin infrastrukturën më moderne, laboratorët më bashkëkohore, dhe për të rritur bashkëpunimin intensiv me mbarë universitetet e botës. Zoti Berisha nënvizoi se për pesë vjet u mbidyfishuan rrogat e mësuesve, u shtri internetin në çdo shkollë, u rindërtuan mbi 1200 shkolla, dhe mbi të gjitha sipas kryeministrit u arrit që mbi 91 % e të gjithë nxënësve që mbarojnë klasën e 9-të të hyjnë në shkollat e mesme, krahasuar me më pak se 70 % të kësaj shifre pak vite më parë. Sipas kryeministrit arritja më e madhe e qeverisë është se në pesë vitet e qeverisjes numri i studentëve në universitete shqiptare u rrit nga 52 mijë në tërësi në vitin 2005, në 138 mijë sot. “Sot në të tri ciklet ulen në bangat e universiteteve ulen 52 mijë studentë, aq sa ç’kishin të gjitha universitetet e vendit në të gjitha kurset në vitin 2005”, tha kryeministri. Kryeministri vërejti se kjo përqindje e uljes në bangat e universiteteve është ndër më të lartat në botë. “Sot, në sistemin universitar studiojnë mbi 138 mijë djem dhe vajza në 556 programe të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë që zhvillohen nga një staf akademik prej 10 mijë pedagogësh, nga të cilët 6534 janë me grada dhe tituj shkencorë”, tha shefi i qeverisë. Ai akuzoi opozitën se ata që bërtasin se universitetet shqiptare janë kthyer në pellgjet e papunësisë i kanë sulmet të pavlera, cinike dhe fyese për lumin e sakrificave të studentëve dhe pedagogëve të tyre. Kryeministri deklaroi se ora e opozitës ka mbetur në vend dhe nuk kthehet më. “Atyre që kanë frikë nga rritja e përqindjes së të diplomuarve në vend, dua t’ju them se ora e tyre ka mbetur në kohën kur, i gjithë vendi kishte student ndoshta më pak se çka sot universiteti i Korçës. Ajo kohë nuk kthehet më. Ne jetojmë në një botë të hapur dhe ne në rrugëtimin tonë kemi një dhe vetëm një alternativë, të ndjekim garën”, deklaroi kryeministri. “Le tu referohemi fakteve. Shqipëria në vitin 2001 kishte të diplomuar në raport me popullatën rreth 8 herë më pak se SHBA-të, kishte të diplomuar në raport me popullatën rreth 7 herë më pak se vendet e gadishullit skandinav. Kishte të diplomuar në raport me popullatën rreth 6 herë më pak se një numër i madh i vendeve të zhvilluara të Evropës”, u shpreh zoti Berisha. Ai premtoi se askush nuk duhet të ketë frikë nga diplomat universitare. “Historia e zhvillimit ka faktuar se për të arritur vlera të larta në ekonomi, shkollimi është një nga kushtet më përcaktuese, për ndjekur orën globale, për të ndjekur revolucionin teknologjik dhe të komunikimit, revolucionin post-teknologjik dhe inovacionin, për të vendosur ekonominë mbi bazat e dijes”, tha kryeministri gjatë fjalimit të tij në universitetin e Korçës. mit/NOA