Ndërkohë që shqiptarët e shohin përditë, në gjithë qenien e qeverisë, në llafet në hava të Saliut e në të vërtetat e hidhura të ekonomisë së tyre familjare, gjendjen e padurueshme politike dhe ekonomike të vendit
Nga Edi Rama
Seanca e shkuar e Kuvendit ishte një shembull i mirë i dallimit mes nesh e atyre që qeverisin Shqipërinë me vota të vjedhura. Diskutimet tuaja për Buxhetin Faktik artikuluan qartë, me argumenta bindës e shifra të vërteta, krizën e rëndë që Saliu vazhdon të përpiqet ta fshehë, si një struc që ka zhytur kokën në rërën e gënjeshtrave.
Ndërkohë që shqiptarët e shohin përditë, në gjithë qenien e qeverisë, në llafet në hava të Saliut e në të vërtetat e hidhura të ekonomisë së tyre familjare, gjendjen e padurueshme politike dhe ekonomike të vendit.
Do doja të ndalesha përsëri tek propozimet tona për heqjen e TVSH-së së bukës, qumështit, vezëve e ilaçeve.
Ku ne, duhet të këmbëngulim ende më fort.
Jo se kemi iluzionin që pushteti i nginjur do ta dëgjojë zërin e arsyes, por sepse duhet t'u përcjellim shqiptarëve një mesazh të qartë: Ne do ta heqim TVSH-në për bukën, qumështin, vezët e ilaçet dhe do ta përgjysmojmë për gjithë bazën ushqimore të familjes shqiptare.
Ky është angazhimi ynë para qytetarëve që sot i paguajnë qeverisë taksë 20 për qind në çdo kg bukë që blejnë, për çdo vezë a gotë qumësht që u japin fëmijëve.
Siç i paguajnë po ashtu qeverisë 10 për qind taksë për çdo kokërr aspirine apo shiringë peniciline.
Me votën që do të na japin, zgjedhësit shqiptarë do t'ia heqin vetes këto taksa të padurueshme.
Këto taksa janë të papranueshme jo vetëm në kushtet e varfërisë e rënies dramatike të fuqisë së tyre blerëse, por edhe në raport me gjithë Europën.
Në Evropë s'ka në asnjë vend që taton ushqimet 20 për qind. Asnjë.
Saliu gënjeu hapur, siç e ka zakon, kur tha se vendosja e TVSH-së së ilaçeve ka ulur çmimet e tyre. E pavërtetë.
Edhe INSTAT-i i kontrolluar prej tij thotë të kundërtën.
Qysh prej janarit të këtij viti, kur ka hyrë në fuqi kjo taksë e re për qytetarët, çmimet e ilaçeve nuk janë ulur.
Nuk kanë qëndruar as në vend.
Janë rritur.
Dhe do vazhdojnë të rriten.
Ne duam ta zmbrapsim këtë masë fiskale të dëmshme e rraskapitëse për ekonominë e familjeve shqiptare.
E duhet të ballafaqohemi fort për këtë edhe në sallën e Kuvendit.
Shqiptarët duhet ta kenë të qartë:
Me Saliun ka vetëm rritje çmimesh.
Me ne fuqia blerëse do rritet.
Ndërkohë duhet të shpejtojmë me propozimin e ri.
Ulje e TVSH-së së energjisë.
Saliu premtoi ta ulte çmimin e energjisë, por faturat vetëm rriten.
Dhe do vazhdojnë të rriten.
Faturat e energjisë do shkojnë duke u rritur bashkë me barrën e parave që qeveria u merr nga xhepi shqiptarëve në formë taksash të fshehta.
Grupi i punës që po adreson këtë problem, me në krye Mimi Kodhelin, ka bërë një propozim të artikuluar shkëlqyeshëm për heqjen e TVSH-së së bukës, qumështit, vezëve dhe ilaçeve, që tanimë është depozituar në kuvend.
Të njëjtën gjë pres të përfundojmë këtë javë edhe për uljen e TVSH-së së energjisë.
Buxheti Faktik i qeverisë është një pasqyrë e kthjellët e të vërtetës se alternativa ekonomike e Saliut, po e çon vendin drejt përplasjes me murin e borxheve të papaguara dhe të papagueshme.
Buxheti Faktit është po ashtu një pasqyrë e kthjellët e të vërtetës se vetëm alternativa jonë ekonomike, mund ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe të rivendosë në ekuilibër kontributet e shqiptarëve për arkën e shtetit.
Sot paguajnë njësoj si një pastruese, infermiere apo polic ashtu edhe një biznes.
Si një biznes i vogël ashtu edhe një i madh.
Si një biznes i madh ashtu edhe një kompani multinacionale.
Kjo padrejtësi e vendosur në themelin e sistemit të taksave në vendin tonë duhet të marrë fund.
Ne jemi të vetmit që mund t'i japim kësaj fund.
5% e shqiptarëve kanë më shumë se 50% të depozitave të këtij vendi dhe qeveria u merr taksa njësoj sa ç'u merr 95% të shqiptarëve.
Ne do të jemi në krahun e 95% të qytetarëve të këtij vendi që jetojnë me të ardhura modeste.
Dhe 5% të tyre, që kanë të ardhura të konsiderueshme, plot ndër të cilët meritojnë të gjithë admirimin e respektin tonë për talentin e aftësitë sipërmarrëse, do t'ua bëjmë të qartë:
Me ne do paguani taksa për Shqipërinë, jo ryshfete e gjoba mafioze për qeverinë.
Me ne do jeni lavdia e sipërmarrjes shqiptare të vendosur në piedestalin e nderit.
Por do t'i jepni Shqipërisë atë që ju takon, për ta bërë vendin tonë të përbashkët atdheun e denjë të fëmijëve tuaj, e të fëmijëve të gjithë Shqipërisë.
Me ne nuk do vuani as shqelmin e klientëve të oborrit të pushtetit në fyt tërë kohën, as persekutimet e përditshme të milicisë financiare të Saliut në derë.
Ne do ju japim gjithçka ju duhet për të qenë zotër në atdheun tuaj.
Dhe ju do t'i jepni atdheut tonë të përbashkët atë që ju takon, në këmbim të fitimeve të merituara.
Ne do t'ju ulim në tryezat e vendimmarrjeve tona.
Do t'ju dëgjojmë e mbajmë shënim të gjitha kërkesat e sugjerimet tuaja.
Do bëjmë për ju kuadrin ligjor që s'lejon askënd t'ju marrë nëpër këmbë. T'ju futet nëpër këmbë. T'ju thyej këmbët.
Ju do të vraponi përpara duke kontribuar që edhe Shqipëria të vrapojë si ju, në një treg të lirë ku konkurrenca është e shenjtë;
ku barazia para ligjit është themeli i bashkëjetesës harmonike të sipërmarrjes së lirë me shtetin e të gjithëve;
ku shteti është arbitër jo palë kundër jush dhe as ortak me një grusht biznesmenësh, që sot ndajnë me pushtetarët fitimet e konkurrencës së pandershme, në kurriz të gjithë komunitetit të biznesit shqiptar.
Shumë ndër ju kanë kërkuar dhe kërkojnë një Gjykatë Administrative.
Keni dëgjuar qëndrimin tonë.
Ashtu siç keni dëgjuar edhe spekulimet e shpifjet e panumërta për qëndrimin tonë.
Ne nuk jemi kundër Gjykatës Administrative.
Ne jemi kundër një gjykate tjetër që shtohet në hallkën e gjykatave të korruptuara e të kontrolluara nga Saliu për hesapet e tij.
Nuk duam ta mbajmë peng ligjin për Gjykatën Administrative.
Duam vetëm ta bëjmë pjesë të një reforme tërësore të sistemit të drejtësisë.
Nuk duam të mbajmë peng asnjë ligj që kërkon 3/5 e votave të parlamentit.
Duam vetëm të ndërtojmë një proçes politik evropian, në Kuvendin e Shqipërisë, për të adresuar çdo reformë që Kushtetuta e parasheh me konsensus.
Për ne, votimet me 3/5 quhen reforma të shtetndërtimit të një vendi kandidat për Bashkimit Europian.
Jo qoka, as arna, për t'i hedhur hi syve Bashkimit Europian, duke e lënë ukubet siç është jetën e institucioneve në Shqipëri.
Kemi propozuar një pakt për këto reforma.
I ribëj apel Saliut të mos vazhdojë të shikojë gishtin kur gishti tregon hënën.
Të mandatojmë nga Kuvendi Komisionin e Ligjeve, për të hapur tryezën e përbashkët të reformave të shtetndërtimit të një vendi kandidat.
Dhe të biem në një mendje që, deri në maj, të kemi miratuar reformat bazë.
Për të mos e humbur edhe vitin tjetër statusin që këtë javë mesa duket do ta humbim përsëri.
Për të dytën herë, si ngelës të përsëritur në vjeshtë.
Si askush tjetër.
T'i japim Komisionit të Ligjeve një axhendë reformash.
Po të doni e vendosim Gjykatën Administrative dhe reformën e sistemit të drejtësisë në pikën e parë të axhendës.
Dhe të mos harrojmë se ka një sërë ligjesh që duhen miratuar në këtë kuadër.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë do një ligj. Konferenca Gjyqësore do një ligj. E me radhë.
Ne jemi gati.
Jemi plotësisht të qartë çfarë duhet të bëjmë së bashku, siç jemi të bindur se kuadri i reformës në drejtësi, ku hyn edhe Gjykata Administrative, kërkon harmonizim me Kushtetutën.
Kërkon konsulta transparente me ekspertët më të mirë shqiptarë dhe me partnerët e huaj.
Saliu duhet ta thotë publikisht, do apo nuk do që deri në maj të kemi mbyllur një proçes që zvarritet pa asnjë justifikim të mëtejshëm?
Do apo nuk do mirëkuptimin tonë për ta bërë këtë punë me një proçes politik evropian në shërbim të interesit kombëtar?
Do apo nuk do që të merremi vesh, përtej të gjitha atyre që na ndajnë e do na ndajnë deri në fund, në mënyrë që Shqipëria ta marrë vitin tjetër statusin e vendit kandidat për?
Do apo nuk do Saliu që ta lerë vallen teke të shpatave mbi asfaltet e fshatrave të Shqipërisë, dhe t'i japim jetë një pune parlamentare për të bërë shtetin europian të shqiptarëve, me reforma europianizuese e jo me arna shatrapatra si ato për të cilat na kërkon më kot votën?
Do apo nuk do që ta afrojë Shqipërinë me BE-në dhe ta shfrytëzojmë krizën ku ndodhemi për të dalë në një stacion të ri të integrimit me një shtet më serioz?
Unë nuk them nuk do.
Saliu le të provojë të kundërtën. Me vepra, jo me llafe rrugësh.
Shteti europian i shqiptarëve nuk bëhet me profka kundër opozitës.
As pa opozitën.
Demokracia është sistemi i opozitës, jo ekskluziviteti i qeverisë.
Nëse do, ne jemi gati. Që këtë javë.
Nëse nuk do, shqiptarët le të gjykojnë.
Ndërkohë Saliu nuk po na thotë ende, publikisht, i qëndron apo nuk i qëndron premtimit të bërë dy vjet rresht, sa mbi foltoren e Kuvendit e sa nga monologjet e rrugicave e çezmave të fshatit, që do të pranonte çdo propozim të opozitës për Reformën Zgjedhore?
I qëndron apo nuk i qëndron premtimit që dy vjet rresht u ka bërë edhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë se mjaft që propozimet e opozitës të marrin dritën jeshile të ODHIR-it dhe/ose Komisionit të Venecias dhe qeveria do ngrejë pa debat kartonin jeshil?
Do apo s'do Saliu që ta mbajë këtë premtim dhe të fillojmë menjëherë punën për Reformën Zgjedhore?
Unë them nuk do.
Por derisa ai ta thotë publikisht që nuk do, s'kemi të drejtë ta paragjykojmë.
Prandaj sot i rikërkoj publikisht që të shprehet, jo duke folur sikur ka arrore në gojë, po duke thënë copë:
Do apo nuk do?
Ne duam të fillojmë punën menjëherë për Reformën Zgjedhore dhe duam ta përfundojmë në mars. Që qeveria të ketë kohë të marrë të gjitha masat për infrastrukturën e zgjedhjeve.
Po Saliu do?
Do apo nuk do që të fillojmë menjëherë nga puna dhe ta përfundojmë reformën zgjedhore në mars?
S'mjafton të përsërisë si në jerm hajde të fillojmë, por duhet të shprehet publikisht dy pika:
E para, a është dakord që komisioni t'i adresohet ODHIR-it dhe/ose Venecias për propozimet e opozitës që atij nuk i duken të arsyeshme?
E dyta, a është dakord që të angazhohet, publikisht, para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar, që reforma të mbyllet në mars?
Unë them Saliu s'do, as njërën as tjetrën.
Po ne s'duam ta paragjykojmë, prandaj i rikërkojmë të shprehet. Publikisht.
Për sa i takon reformës parlamentare, jo vetëm jemi plotësisht dakord t'i referohemi rregullores së funksionimit të Parlamentit Europian, po tanimë një grup i drejtuar nga Ditmir Bushati ka nisur punën për të formuluar kontributin tonë konkret, me referencë institucionin e Parlamentit Europian, si edhe disa parlamente të vendeve të Europës së Bashkuar.
Në paktin e ofruar prej nesh kemi propozuar edhe një afat, dhjetorin e këtij viti, për ta miratuar reformën parlamentare.
Jemi gati të ngremë një komision ad hoc parlamentar për këtë reformë.
Po Saliu do?
Do apo nuk do që deri në dhjetor të ndryshojmë rrënjësisht funksionimin e parlamentit?
Duhet ta thotë, publikisht, qartë dhe jo sikur kalon nga një degë shege në një hardhi rrushi, duke sharë opozitën e folur pa lidhje për moshën e Internetit.
Ashtu siç duhet të thotë publikisht pse nuk do që Kontrolli i Shtetit të jetë i pavarur?
Pse nuk do që Banka e Shqipërisë të ketë 3 nga 9 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të zgjedhur nga opozita?
Pse nuk do që Avokati i Popullit të jetë i pavarur nga partitë?
Pse nuk do që të hetohen faktet e tmerrshme të dala në dritën e shtypit shqiptar për Gërdecin, tunelin e Kalimashit, ryshfetet e marra Ministria e Mbrojtjes për t'i çuar rekrutët ushtarë në Irak e Afganistan, kapja e Policisë së Shtetit nga truproja i tij e me radhë, të cilat e kanë njollosur edhe më keq se ç'është atë vetë dhe tërë klasën politike shqiptare?
Po Televizionin Publik Shqiptar pse nuk do që ta verë në shërbim të qytetarëve që atij ekrani Kadafist i paguajnë taksa çdo muaj?
Ne e dimë pse nuk do.
Po Saliu duhet ta thotë, një për një, publikisht, psenë e tij.
Sepse nuk mund të bëjë sikur pakti i opozitës nuk ekziston në kushtet kur opozita kërkon ta nxjerrë vendin nga kriza dhe ta shtyjë përpara, drejt Bashkimit Europian.
Të vazhdojmë t'u tregojmë shqiptarëve idetë tona, t'u shpjegojmë me durim qëndrimet tona, t'u ofrojmë alternativën tonë europiane.
Saliun as e kemi zgjedhur ne, as e ka zgjedhur shumica e shqiptarëve.
Ai është ai që është, përfaqësues i pakicës që sundon me vota të vjedhura.
Por ne jemi të detyruar ta respektojmë pakicën që ai përfaqëson, sepse bëhet fjalë për shqiptarë që vuajnë po njësoj taksën e bukës dhe haraçin e krizës ku Saliu dhe vetëm ai, po e mban sot peng Shqipërinë.
Misioni ynë është t'u ofrojmë të gjithë shqiptarëve pa dallim, në shumicë a në pakicë, rrugën e re drejt shtetndërtimit europian të Shqipërisë dhe t'u japim të gjithë alternativën tonë për një vend të sigurt, të barabartë në mundësi e detyrime sipas mundësive për çdo shqiptar, në një shtet që s'është partia në pushtet, po shërbëtori i çdo qytetari pavarësisht përkatësive partiake e bindjeve politike.