Tiranë, 10 Tetor 2011 NOA/ Arlinda Koçi - Studimet e fundit kanë treguar se, nënat shtatzëna, të cilat jetojnë në qytete të mëdha, kanë tre herë më shumë rrezik të lindin para kohe, për shkak të ndotjes së lartë të mjedisit. Tymi i makinave, i krijuar kryesisht nga trafiku i rënduar, i cili përmban hidrokarburantin aromatik polycyclic, një nënprodukt i benzinës, përbën një rrezik prej 30 për qind, në lindjet e parakohshme. Nitrati i amoniumit, i cili vjen nga bujqësia dhe industria, rrit kërcënimin e lindjeve të parakohshme me 21 për qind, ndërsa benzina dhe nafta përbëjnë një rrezik prej 10 për qind. Studiuesit gjithashtu vunë në dukje se, përqendrimet e ndotësve janë më të lartë në stinën e dimrit se sa në verë. Gjithashtu qytetet bregdetare kanë ajër më të pastër se sa qytetet në brendësi të mëtejshme. Autori kryesor i studimit, Dr Beate Ritz u shpreh: “Ndotja e ajrit është e njohur për rrezikun e lartë që shkakton në peshën e ulët të fëmijëve të sapolindur, si edhe në lindjet e parakohshme. Grimcat e nitratit të amoniumit, ndikojnë negativisht në shëndetin e foshnjave, ende të pa ardhura në jetë.” Studiues nga Universiteti i Kalifornisë, vëzhguan shëndetin e 100.000 foshnjave, duke monitoruar paralelisht ndotjen e ajrit në qytetin e Los Angeles, i cili është i njohur për një ndotje të lartë të ajrit. Rezultatet e studimit u publikuan në revistën, Environmental Health, ku thuhej se, niveli i një përqendrimi të lartë të benzinës apo naftës, mund të rrisë rrezikun e lindjeve të parakohshme. Pamje nga lart nga Tirana Tirana, kryeqyteti ynë, është po ashtu ndër qytetet e mëdha që vuan ndotjen e lartë. Instituti i Shëndetit Publik në një raport të muajit tetor 2011 ka konfirmuar se ndotja në Tiranë është tre herë më e lartë se normat e pranuara nga standardet e Bashkimit Evropian. a.k/NOA