Nga Eduard Zaloshnja
Pas një interviste që djemtë e ish-kryeministrit bavarez Franz Josef Strauss i dhanë para ca vjetësh gazetës “Panorama”, shkrova një koment rreth perfomancës së Ramiz Alisë në periudhën pas vdekjes së Enver Hoxhës. Me rastin e vdekjes sot të Ramiz Alisë, po riprodhoj këtu një pjesë të atij komenti.
“Në vitin 1985, pas vdekjes së Enver Hoxhës, Ramiz Alia u ndodh para udhëkryqit “Ose të ndiqte shembullin e Tien Hsiao Pinit, ose të vazhdonte rrugën e Enverit”. Fatkeqësisht, ai zgjodhi këtë të fundit. Në qoftë se do kishte zgjedhur rrugën e parë, Alia fillimisht do të kishte konsoliduar pushtetin e vet brenda partisë dhe më pas, ashtu siç bëri Tien Hsiao Pini në Kinë, do të kishte futur në burg të venë e paraardhësit të tij të fuqishëm, së bashku me disa nga pasuesit e saj më besnikë. Ndërkohë, ai do të kishte filluar urgjentisht reformën në bujqësi, e cila, e asfiksuar prej kolektivizimit ekstrem enverian, nuk ishte në gjendje të plotësonte nevojat normale të popullsisë për ushqim. Dhe si model mund të kishte përdorur reformën kineze të bujqësisë.
Në Kinë, e cila kishte vuajtur edhe ajo nga kolektivizimi ekstrem maoist, shteti ua shpërndau tokën për përdorim anëtarëve të komunave, ndërkohë që vazhdoi t’i mbështeste ata nëpërmjet sistemit shtetëror të furnizimit të lëndëve të para dhe grumbullimit të produkteve bujqësore. Si rezultat, prodhimi i drithërave atje u dyfishua në 10 vjet!
Duke ndjekur shembullin kinez, Alia gjithashtu do të kishte hapur tregun vendës për kapitalin perëndimor para se vendet e tjera europiano-lindore ta bënin të njëjtën gjë. Nga pikëpamja strategjike, kjo përputhej jo vetëm me interesat afatgjata të Shqipërisë, por edhe me ato të fuqive perëndimore. “Ti do jesh i pari nga liderët e vendeve lindore që do trokasësh në dyert e Europës, dhe ajo me siguri do të të mirëpresë!” – i tha atëherë Alisë ish-kryeministri bavarez Strauss. Por Alia zgjodhi të jetë i fundit. Si rezultat, Shqipëria, në vend që të realizonte një sukses ekonomik të ngjashëm në cilësi me atë të Kinës, shkoi drejt kolapsit të plotë në vitet 1990-1991.”
Gazeta "Mapo"