Shkodër, 10 tetor 2011, NOA – Policia e Shkodrës ka identifikuar dhe vënë në pranga autorin e vjedhjes me armë në një kazino pranë lagjes “Vasil Shanto” të qytetit të Shkodrës. Ai është 17-vjeçari me iniciale E.R. Sipas policisë dje rreth orës 06.30, shtetasi në fjalë ka hyrë i maskuar në kazinonë që ndodhet përballë sheshit “2 Prilli” në momentin kur punonjësit e saj po bënin ndërrimin e turnit, duke vjedhur nën kërcënimin me armë një shumë prej 250.000 lekësh të reja. Por, në orët e mbrëmjes së të dielës blutë e Shkodrës kanë rënë në gjurmët e autorit të vjedhjes duke arritur kapjen e të riut, i cili është banues në lagjen “Partizani” të qytetit Shkodër. Policia sekuestroi paratë e vjedhura nga 17-vjeçari, i cili është nën akuzë për vjedhje me armë. mit/NOA