English

Tre angazhimet e Lulzim Bashës për jetën akademike në Tiranë

Tiranë, 10 tetor 2011, NOA – Në ditën e parë të vitit të ri akademik Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha përveç urimit për një vit të mbarë studimesh u premtoi studentëve të Tiranës vënien në jetë të tre angazhimeve kryesore të tij për rritjen e cilësisë së jetës akademike në kryeqytet. Duke folur për marrëdhënien e re të Bashkisë së Tiranës me botën akademike, Basha theksoi se kjo do të jetë një nga frymëzueset e projekteve të reja të Bashkisë. Qytetari i parë i Tiranës e cilësoi të sotmen një ditë të veçantë për studentët, pedagogët, stafin akademik e shkencor anembanë vendit, kur 54 mijë studentë e mbi 5000 pedagogë e kërkues shkencorë nisin vitin e ri akademik në Universitetet e Tiranës. Gjatë vizitës në Universitetin e Tiranës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës u ndal tek tre angazhimet kryesore të Bashkisë që kanë të bëjnë me përfshirjen në planin urbanistik të godinave dhe ambjenteve të reja studentore, ngritjen e një fondi me të paktën 1 milionë euro për stazhin e studentëve si dhe hartimin e Kartës së Studentit, një dokument që parashikon lehtësi të ndryshme financiare për studentët e Tiranës. “Qyteti duhet të mbajë përgjegjësitë e veta karshi jush dhe unë dua t’ju informoj sot, se ne jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar një nga premtimet e mia kryesore; kartën bashkiake të studentit, për çdo student të Universitetit të Tiranës dhe të të gjithë universiteteve që rezidojnë në këtë qytet. Kjo kartë studentore do të jetë në duart tuaja dhe do të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh, lehtësirash, që nga transporti publik, tek jeta kulturore, tek shërbimet e infrastrukturës ushqimore e shumë të tjera. Po kështu, ne po punojmë sëbashku me Këshillin Bashkiak, për hartimin e planit të ri urbanistik të Tiranës. Në këtë plan, një nga ngjyrat më të rëndësishme urbanistike do të jetë ngjyra e Kampusit, apo Kampuseve dhe Korpuseve të reja Universitare, në qytetin e Tiranës”, premtoi kryebashkiaku Basha. Gjithashtu Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit u ndal edhe tek buxheti i vitit 2012, për të cilin shpalli para studentëve se “Në buxhetin e vitit 2012, unë kam si qëllim t’i paraqes Këshillit Bashkiak të Tiranës, një buxhet prej jo më pak se 1 milionë eurosh, për programin e stazheve, për të gjithë studentët që studiojnë në Tiranë. Kjo shumë do të përdoret ekskluzivisht, për të hapur një vend praktike për këdo student që e dëshiron atë, në institucionet publike, siç është vetë Bashkia e Tiranës, apo vetë institucionet qendrore të shtetit, korporatat, kompanitë e vogla dhe të mesme, bankat, organizatat joqeveritare, tek institucionet e kulturës, në mënyrë që çdo student i Universitetit të Tiranës apo universiteteve të tjera në Tiranë, të gjejë mundësinë për të hedhur hapat e parë drejt punësimit të tij dhe të saj”, tha Basha duke nënvizuar se ky është një qëllim madhor dhe prioritet kryesor i tij si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Angazhimet e kryebashkiakut të Tiranës Lulzim Basha për bashkëpunimin mes Bashkisë së Tiranës dhe universiteteve u vlerësuan edhe nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule si dhe dekanët e disa fakulteteve të pranishëm në këtë ceremoni. mit/NOA

KOMENTE