Vlorë, 10 tetor 2011, NOA – Pas muajsh të tërë vjedhjesh të kabllove elektrikë në zonën e Zvërnecit në Vlorë bien në prangat e policisë katër persona. Një patrullë e policisë mesnatën e kaluar ka konstatuar një automjet të dyshimtë gjysmë të fshehur në një kthesë rruge, tip fugon FORD me karoceri me targa KBP 7568. Menjëherë patrulla e policisë është afruar por personat që ndodheshin aty janë larguar me shpejtësi duke shfrytëzuar errësirën. Nga ndjekja e punonjësve të policisë është bërë e mundur kapja e Erjol Veliko Hasamataj, vjeç 26,banues në lagjen ”Kushtrimi” Vlorë. Nga kontrolli që ju bë automjetit tip FORD brenda tij janë gjetur pistona vagonësh, të cilët dyshohet të jenë vjedhur. Nga shoqërimi i këtij shtetasi në Komisariat është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë edhe i bashkëpunëtorëve të tjerë që u larguan nga vendngjarja, të cilët janë: Rigert Beqir Llangozi,vjeç 20, banues në lagjen “24 maji” Vlorë; Arsen Nuri Pali,vjeç 32, banues në lagjen “24 Maji” Vlorë dhe Engjëll Mete Hidri, vjeç 25, banues në lagjen “24 Maji” Vlorë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip FORD dhe dy pistonat që ndodheshin në të me një peshë prej 7 kv secili, të cilët do të shkonin për skrap. Dyshohet që këta persona të jenë autorë edhe të vjedhjeve të tjera në zonën e Zvërnecit, si vjedhjet e kabujve të linjave elektrike dhe shinave të hekurudhës. a.q/NOA