Ukrainë, 11 tetor 2011, NOA - Një gjykatë në Ukrainë sot e ka dënuar ish-kryeministren e këtij vendi Julia Timoshenko me shtatë vjet burg, duke u shpallur fajtore për abuzim të pushtetit në vitin 2009, gjatë një marrëveshje me Rusinë. Gjykatësi, Rodion Kirejev duke e lexuar vendimin tha se Timoshenko ka përdorur pushtetin e saj për “akte kriminale” kur ka urdhëruar firmën ukrainase Natfogas të nënshkruajë marrëveshjen me Rusinë. Gjykatësi tha se veprimet e Timoshenkos i kanë shkaktuar Natfogasit një humbje prej 188 milion dollarëve. Përkrahës të Timoshenkos ishin mbledhur jashtë ndërtesës së gjykatës, ku po qëndrojnë edhe forca të shumta të policisë. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin, duke thënë se gjykimi i Timoshenkos është i motivuar politikisht. a.q/NOA