English

ACR: Do marrim përsipër të zgjidhim situatën me punëtorët e zonës D

Tiranë, 11 tetor 2011, NOA- Kompania ACR ka reaguar pasditen e sotme lidhur me protestën e 72 minatorëve duke kërkuar të sqarojë faktin se minatorët e zonës D nuk kanë qenë punonjës të kësaj kompanie por të një prej nënkontraktuesve të saj. Sipas ACR, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka urdhëruar që zona D t’i kalojë nën administrimin e kompanisë ACR dhe për rrjedhojë edhe 72 minatorët e kompanisë nënkontraktuese do të bëhen pjesë e ACR. “Sot kompania ACR përfundoi me nënkontraktonin procedurat e dorëzimit të aseteve të zonës D, ku një prej pikave të marrëveshjes ishte edhe trajtimi financiar i punonjësve të kësaj zone. ACR do të marrë përsipër të zgjidhë situatën financiare të punëtorëve të zonës D duke ju ofruar atyre të njëjtat kushte që u ofroi edhe minatorëve të Bulqizës bazuar në kohën që këta minatorë kanë punuar për kompaninë ACR. Aktualisht puna në zonën D është e pezulluar sipas vendimit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës pasi RISHM po vazhdon inspektimin në këtë zone dhe stafi i minierës po punon për të garantuar kushte të përshtatshme për rifillimin e punës”, thuhet në qëndrimin e kompanisë austriake. Sakaq nga ana e ACR thuhet se më momentin që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të vendosë që mund të fillohet puna në këtë sektor kompania ACR do të fillojë me përmirësimin e kushteve të punës dhe rifillimin e punës për minatorët. Gjatë mëngjesit të sotëm 72 minatorë janë futur në zonën D të minierës së kromit duke zaptuar një prej galerive të saj, pasi nga ana e tyre pretendohet se është shkelur premtimi dhe se ACR ia ka lënë në këtë rast topin nënkontraktorëve për pagën e 13-të. Sipas minatorëve pretendohet se ky fakt bën që të shkelet një prej pikave të marrëveshjes së nënshkruar pak ditë më parë që shënoi edhe përmbylljen e grevës së dytë të urisë. Nga ana e 72 minatorëve kërcënohet se do të përshkallëzohet protesta në rast të mos zgjidhjes së situatës. a.y/NOA

KOMENTE