English

Avari teknike në avionin ku udhëtonte Presidenti Topi

E martë, 11 tetor 2011, NOA – Avioni me të cilin do të udhëtonte Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe delegacioni shqiptar drejt Turqisë ka pësuar avari gjatë nisjes duke vonuar mbërritjen e Kreut të Shtetit shqiptar në kryeqytetin turk. Mediat turke bënë me dije mbrëmjen e të hënës se në avionin e delegacionit shqiptar ishte krijuar një gjendje paniku për shkak të një defekti teknik, prej të cilit avioni u kthye mbrapsht pasi bëri një ngritje në ajër. Mandej ka qenë vetë Presidenti turk Abdulla Gyl, i cili ka nisur një tjetër avion nga Turqia për të marrë delegacionin shqiptar të kryesuar nga Presidenti Topi, i cili mbërriti pasditen e të hënës në Turqi me ftesë të homologut turk. Agjencia turke e lajmeve Anadolu shkruan se avioni me të cilin do udhëtonte presidenti Topi mbërriti më vonë se orari i planifikuar, për fat të mirë për shkak të një incidenti të vogël, që shkaktoi shumë panik. Nuk dihet nëse defekti është shkaktuar prej kohës së keqe apo për ndonjë arsye tjetër të sigurisë në avion. Megjithatë avaria në avionin ku do të udhëtonte Presidenti Bamir Topi është titulli kryesor i disa të përditshmeve në vend. E përditshmja “Shekulli” u çel sot me titullin: Defekt në avionin e Topit para nisjes në Turqi, ndërsa “Gazeta Shqiptare” kishte si argument të ditës: Topi, avari në avion. Presidenca: Probleme para nisjes në Turqi. Avarinë në avionin e përcaktuar për udhëtimin e Presidentit e konfirmoi edhe Drejtori i Drejtorisë së Informacionit në presidencë Edvin Shvarc si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil Ervin Mazniku, i cili nuk dha detaje për defektin që dërgoi me disa orë vonesë Presidentin Topi drejt Turqisë. Presidenti Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë Teuta Topi pas mbërritjes në Ankara është takuar fillimisht me Presidentin turk Abdullah Gyl, ku kanë diskutuar për vullnetin dypalësh për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve partnere. Më pas Kryetari i Shtetit u prit nga Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek. mit/NOA

KOMENTE