English

Berisha: Le ta njohë bota floririn tonë

Gjirokastër, 11 tetor 2011, NOA- Në kuadër të inaugurimeve, Kryeministri Berisha u ndal në inaugurimin e rrugës së Çajupit me vlerë 425 milion lekë, rrugën e Nokovës, 26 milion lekë dhe inspektimin e punimeve në sistemimin e lumit Drino, në rrethin e Gjirokastrës. Kryeministri Berisha inspektoi punimet e sistemimit të lumit Drino, të cilat konsistojnë në rehabilitimin e shtratit të lumit në një gjatësi prej 2.8 kilometra dhe që përfshijnë pastrimin e mbetjeve, thellimin e shtratit të lumit dhe rikonstruksionin e argjinaturës së tij. Punimet për sistemimin e lumit, që arrijnë vlerën e 98 milion lekëve, do të bëjnë të mundur një përmirësim të ndjeshëm të kushteve për banorët qytetit dhe fermerët e zonës, duke eliminuar përmbytjet në lagjet e poshtme të qytetit dhe nënstacionin elektrik. Në fjalën e tij ai tha se gjatë 5 viteve të fundit investimet në sistemin e fushave të Gjirokastrës, Dropullit, Odries, Valares dhe Lazaratit kanë arritur në vlerën e 135 milion lekëve. Mësohet se rruga e ndërtuar në përputhje me të gjitha parametrat moderne, evidenton më tepër bukuritë turistike të Çajupit dhe Lunxhërisë, duke i dhënë një nxitje të madhe turizmit malor dhe etno-kulturor. Ndërkaq gjatë inaugurimit të rrugës në fshatit Nokovë, me gjatësi 2 kilometra dhe vlerë 26 milion lekë, Berisha u shpreh para banorëve të komunave Lunxhëri dhe Zagori, se sot inaugurohet një nga rrugët më të bukura turistike të vendit, rrugë që sjell në majën e Çajupit, këtij mali frymëzues për pamjen, frymëzues për pasuritë e tij. “Kjo rrugë, e cila ka një gjatësi prej rreth 28 kilometra, kalon nëpër fshatrat Shëntodhër, Kakoz, Karjan, Këllez, Dhoksat, Qestorat, Mingul, Nokovë të komunës Lunxhëri dhe prej saj përfitojnë të gjithë fshatrat e luginës tjetër të bukur, mahnitëse, siç është lugina e Zagorisë. Ju garantoj juve, banorëve të Zagorisë, se kjo rrugë do të vijë deri në Zagori dhe se fakti se aty ka tani pak banorë veçse më shtyn edhe më shumë që ta ndërtojmë sa më shpejt atë, sepse Zagoria është një nga luginat më të bukura të Jugut e mbarë Shqipërisë. Ka qenë izolimi i saj gjeografik dhe asgjë tjetër, se, nga ana tjetër, është një nga luginat me biodiversitetin më të madh e më të mirë në vend dhe së bashku me luginën e Lunxhërisë e të Pogonit formon një mrekulli të vërtetë natyrore. Një mrekulli që ne duam t’ua bëjmë të njohur, së pari, sa më shpejt të gjithë shqiptarëve, por t’ia bëjmë të njohur edhe vizitorëve nga mbarë Europa e Bota”, u shpreh Berisha. Ai tha se Shqipëria është një vend me pasuri të jashtëzakonshme turistike, duke kujtuar se një vit me parë në bisedën me një zyrtar të lartë të një vendi tjetër, e cilësoi Shqipërinë si një Zvicër me det. Kryeministri Berisha tha se problemi është se, në rast se bregdeti u bë i famshëm dhe vitin që kaloi Shqipëria u shpall “e bukura e dheut” për turizmin në botë, magjinë e maleve tona pakkush e njeh, duke shtuar se së pari, nuk e njohin vetë shqiptarët, për të cilët malet kanë qenë vende mundimi e sakrificash dhe kur nuk e njohin vetë shqiptarët, atëherë çfarë mund të themi se e njohin të huajt. Ai tha se është detyra jonë të bëjmë gjithçka që shqiptarët, çdo ditë e më shpejt e më shumë, të zbulojnë bukuritë magjepsëse të këtij vendi. Një vend në 3/4 e tij me kodra e male. “Nga e marta që kaloi e gjer më sot, në harkun kohor prej një jave, në drejtim të zonave malore, ne kemi inauguruar duke filluar me Gjinarin e në zona të tjera rreth 70 kilometra rrugë. Vetëm sot, në rrethin e Gjirokastrës ne inaugurojmë 36 kilometra rrugë, kjo rrugë që të sjell në fushën e majës së Çajupit, rruga tjetër që të çon në kodrat e Jermës në Parkun Kombëtar të Antigonesë, të martën inauguruam rrugën e Gjinarit, një nga zonat më të bukura turistike, po ecim e do të ecim drejt të gjitha zonave malore të vendit. Malet e Shqipërisë kanë pasuri të pafundme minerare, kanë rezerva botërore kromi, rezerva botërore nikeli, rezerva botërore hekuri, bakri e polimetalesh dhe tani së fundi edhe floriri. Por floririn më të madh e kanë mbi tokën e tyre, në shpatet, thepat, kreshtat, livadhet e malet e tyre, ndaj dhe ne do të bëjmë që këtë vend, të cilin natyra e ka bërë Zvicër me det, ta bëjmë një Zvicër të vërtetë, të investojmë kudo”, u shpreh Berisha. Ai tha se brenda një kohe të shkurtër, qeveria do të kalojë ligjin, me të cili do të përjashtohen nga taksat çdo investitor që investon në zonat malore, në hotele, klube dhe investime të tjera. Kryeministri Berisha garantoi banorët se Qeveria do të bëjë të pamundurën që gjithë Europa dhe Bota t’i njohë zonat malore, këto male, siç tha ai kanë një zemër të florinjtë, zemrën e banorëve të tyre. Sakaq gjatë 6 viteve të fundit, në komunën e Lunxhërisë janë ndërtuar 35 kilometra rrugë, 2 ujësjellës, 1 shkollë, është drenazhuar fusha e Valaresë, si dhe janë subvencionuar 40 hektarë pemëtari. Ndërsa gjatë 5 viteve, në Qarkun Gjirokastër, Tepelenë e Përmet janë investuar dhe janë në proces mbi 300 milionë euro. Janë ndërtuar 338 kilometra rrugë kombëtare e rurale, 97 sisteme ujësjellës-kanalizime, 64 shkolla e kopshte, 40 objekte të trashëgimisë kulturore, 27 qendra shëndetësore e spitalin rajonal, janë subvencionuar 410 hektarë pemëtari dhe mbi 1000 fermerë e blegtorë. a.y/NOA

KOMENTE