English

Bildt: Prishtina nuk pengon Serbinë për statusin e kandidatit

Bruksel/Luksemburg, 11 tetor 2011, NOA – Serbia nuk ka lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës. Këtë deklaratë e ka bërë një ditë para vendimit të Komisionit Europian për rekomandimin e dhënies së statusit të vendit kandidat Serbisë, kryediplomati suedez Carl Bildt. Pak orë përpara mbërritjes në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Bildt ka deklaruar prerë se Kosova nuk do të jetë pengesë që Serbisë t’i jepet statusi i kandidatit. I pyetur nga gazetari gjerman se si mund t’i jepet statusi i kandidatit një Serbie, e cila është përgjegjëse për dhunën në veri të Kosovës, kryediplomati suedez është përgjigjur se “Beogradi nuk ka lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës, sepse ndikimi i Beogradit atje është shumë i vogël. Përgjegjësinë e ka Qeveria në Prishtinë, e cila nuk ka bërë sa duhet për t’i afruar qytetarët në veri të Kosovës”, citon në një artikull të ditës gazeta kosovare “Koha Ditore”. Duket se brenda Bashkimit Evropian vazhdojnë dallimet rreth faktit se sa faj ka Serbia për tensionin në veri të Kosovës, shkruan më tej gazeta. Në institucionet e BE-së, në Komisionin Europian dhe në Këshillin e Evropës duket se dominon qëndrimi se për zhvillimet e dhunshme në këtë pjesë të Kosovës fajin e kanë autoritetet e Prishtinës me veprimet e njëanshme në dy vendkalimet kufitare gjatë verës. Koha ditore zbulon draftin e përgatitur të Raport-progresit për Kosovën, i cili do të miratohet të martën, ku KE pritet të shprehë keqardhje për zhvillimet në veri të Kosovës. Në draft thuhet se KE shpreh keqardhje dhe shqetësim të madh për zhvillimet e korrikut në Kosovën veriore. Por, këtë keqardhje e kanë shprehur gjatë kësaj kohe edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë. Gjermania dhe disa vende të tjera të BE-së kërkojnë nga Beogradi, që të tregojë nëse ka apo s’ka gisht në dhunën në veri, dhe paskëtaj të heqë dorë publikisht nga strukturat paralele atje dhe të mundësojë shpërbërjen e tyre. mit/NOA

KOMENTE