English

Blindohet Lupçi, fshati ku Vetëvendosje rrokullis kamiona

Podujevë, 11 tetor 2011, NOA- Mjafton një ndalesë disa minutëshe në fshatin Lupç që gjendet në magjistralen Prishtinë-Podujevë dhe do të kesh një shoqërim të madh të forcave të Policisë së Kosovës. Derisa ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, pranon se në këtë pjesë ka shtim të patrullimeve policore, Lëvizja Vetëvendosje këtë veprim të Qeverisë e quan një “luftë” ndaj Vetëvendosjes. Në fshatin Lupç të Podujevës, ku janë rrokullisur dy maune me mallra serbe, vazhdon ende të qëndrojë materiali i dëmtuar, por veç kësaj, ajo që të bien në sy është patrullimi i shpeshtë nga ana e Policisë së Kosovës. Në një ndalesë dy minutëshe do të shohësh menjëherë ndaljen e veturës së policisë, për të bërë disa pyetje rreth ndalesës në atë vend, gjithnjë duke dyshuar se mos është duke u përgatitur prap ndonjë aksion i Lëvizjes Vetëvendosje. Madje kishte edhe raste kur vinin dy deri në tri patrulla policore, gjë që e bënë fshatin Lupç një ndër vendet me më së shumti policë në Kosovë. Por po të vazhdosh rrugën edhe për pak metra, mund të shohësh edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale të vendosur në disa pika të caktuara. Edhe vetë pjesëtarët e policisë, prapa kamerave, pranojnë që ka shtim të patrullimit në këtë pjesë, ndërsa nuk kanë mohuar rastet e përcjelljes së maunave me mallra serbe. Por, Dardan Molliqaj, sekretar në Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë për Kosovapress se Qeveria e Kosovës, në vend që të kujdeset për ruajtjen shtetit të Kosovës, ka orientuar të gjithë mekanizmat shtetërorë, përfshi dhe policinë, për të ruajtur pushtetin personal, siç thotë ai nga Vetëvendosja. “Krejt këto veprime të tyre të fundit, e konkretisht rasti konkret, që ka jep urdhër ministri Rexhepi për vendosjen e patrullave edhe të prezencës së Njësisë Speciale, ku ne i kemi bërë dy aksionet e fundit kundër mallrave të Serbisë, janë në vazhdën e shumë deklarimeve dhe luftën direkte kundër Vetëvendosjes, për shkak se veprimet e fundit të Vetëvendosjes aktive kundër mallrave të Serbisë, por edhe prezantimet në media, kanë treguar edhe njëherë seriozitetin, fuqinë, gatishmërinë dhe vullnetin e Vetëvendosjes për t’u marr me mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Kosovës, por edhe shtetit të Kosovës”, ka thënë Molliqaj. I pyetur se a do të pamundësojnë këto veprime të policisë aksionet e Vetëvendosjes, Molliqaj ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se në vazhdim do të ketë aksione kundër mallrave të Serbisë. “Jo, për shkak se Vetëvendosjen nuk mund ta ndalojë Policia e Kosovës, për shkak se edhe në kaluarën e kanë përdorur Policinë e Kosovës kundër Vetëvendosjes. Shumë shpejt në ditët në vazhdim do t’i kemi aksionet e tjera kundër mallrave të Serbisë, kështu që kjo nuk është ndonjë pamundësim, por vetëm një shpërfaqje e një tendence jo të drejt edhe një tendence me luftuar Vetëvendosjen përmes Policisë së Kosovës”, ka thënë ai. Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi ka konfirmuar për Kosovapress se ka patrullime më shumë në atë pjesë. “Po ka patrullime më shumë. Është kërkuar prej fillimit që të ketë patrullime aty më shumë, në mënyrë që të ndalen ato veprime. Nuk ka nevojë për Njesi Speciale, atë punë mund ta kryejë edhe policia e trafikut”, tha Rexhepi përmes telefonit. Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani pranon që ka shtim të forcave policore, por jo vetëm në atë pjesë. “Ka shtim të forcave policore në të gjitha rrugët, për të pas një siguri më të madhe dhe jo vetëm në fshatin Lupç”, ka thënë Kelani. Ndryshe, ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje gjatë aksioneve të saj ka rrokullisur dy maune me mallrave serbe. Në aksionin e parë është dëmtuar mall i kompanisë “Centro Proizvod”, ndërsa në maunën e dytë ka pas material ndërtimor të kompanisë “Mlladost". BS/NOA

KOMENTE