Tiranë, 11 tetor 2011, NOA- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, priti në një takim Ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, Janos Huszar. Gjatë këtij takimi ambasadori Huszar i përcolli Burgaj një mesazh Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Hungarisë, duke shprehur interesin e thellë të Policisë Hungareze për bashkëpunimin me Policinë Shqiptare. Në fjalën e tij Huszar tha se, “Policia hungareze është shumë e interesuar për ta thelluar dhe çuar më tej bashkëpunimin me Policinë shqiptare me interesin e përbashkët për të luftuar krimin. Ka disa fusha interesi ku bashkëpunimi mes dy policive tona mund të jetë i frytshëm, siç janë arsimi policor, shkëmbimi i informacionit apo fusha konkrete të luftës kundër krimit. Policia hungareze është e gatshme për nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në këto fusha me Policinë Shqiptare”. Ndërkaq nga ana e tij Burgaj shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim si dhe bëri një përmbledhje të punës së Policisë së Shtetit gjatë viteve të fundit. Sipas tij, Policia e Shtetit Shqiptar kohët e fundit ka pësuar disa reforma, qoftë në drejtimet strukturore dhe kapacitetet njerëzore, por edhe në implementimin e teknologjisë më të lartë me mjete bashkëkohore. Ai theksoi se janë shënuar shume suksese në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe trafiqet e paligjshme dhe ç’është më e rëndësishmja kemi fituar besimin e partnerëve tanë në BE dhe vendeve të tjera. Në vijim Burgaj falenderoi ekspertët hungarezë për kontributin e tyre në Shqipëri gjatë trajnimeve në kuadër të BE, ku tha se çdo vit dërgohen oficerë të policisë shqiptare për t’u trajnuar në Budapest në kuadër të programit ILEA, nëpërmjet ICITAP-it, i cili mund të konsiderohet si trajnimi më i mirë deri tani për Policinë shqiptare. Kreu i policisë shqiptare u ndal në faktin se ka pika të tjera të domosdoshme për të cilat nevojitet bashkëpunimi me Policinë hungareze, siç është lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, etj. a.y/NOA
Në foto: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj gjatë takimit me Ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, Janos Huszar