English

Minatorët bllokojnë galerinë: ACR shkeli marrëveshjen

Bulqizë, 11 tetor 2011, NOA – Kur dukej se situata në Bulqizë u qetësua pas tre muaj protestash dhe greve urie, minatorët e Bulqizës i janë rikthyer protestave mëngjesin e sotëm. Ata kanë kërcënuar se do të nisin një grevë tjetër urie për shkak se kompania koncesionare ACR nuk po mban premtimin për t’u dhënë pagën e 13-të. Mëngjesin e sotëm 72 minatorë janë tubuar në zonën D të minierës së kromit duke zaptuar një prej galerive të saj. Sipas minatorëve shkelja e premtimit po luhet si në një lojë pingpongu ku ACR ia ka lënë në këtë rast topin nënkontraktorëve. Janë këta të fundit që sipas ACR-së duhet t’u paguajnë minatorëve pagën e 13-të. Kjo gjë ende nuk ka ndodhur duke u shkelur kështu një prej pikave të marrëveshjes së nënshkruar pak ditë më parë që shënoi edhe përmbylljen e grevës së dytë të urisë. Të 72 minatorët kërcënojnë se do të përshkallëzojnë protestën e tyre. Ata iu rikthyen punës në minierën e kromit pas një ndërprerjeje prej plot tre muajsh protestë, si dhe pas inspektimit të galerive nga ekspertët e RISHM-it. mit/NOA

KOMENTE