English

Mundja shqiptare, e kapluar nga ethet e Botërorit

President i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Martin Biba, rrëfen përgatitjet për këtë eveniment: “Organizimi i kësaj veprimtarie, një sprovë për të gjithë sportin shqiptar” Tiranë, 11 Tetor 2011 NOA/ Altin Kodra - Dera e zyrës së parë djathtas në katin e dytë të zyrave të Kompleksit Olimpik Kombëtar, siç njihet tanimë ish-Kompleksi Sportiv “Dinamo”, është gjithnjë e hapur dhe në të hyjnë e dalin njerëz parreshtur. Kur hyn brenda, i vetmi që nuk pushon së foluri është një burrë shtatlartë dhe i mbushur dhe që e përligj, me pamjen e tij, të qenit president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Ai është Martin Biba dhe tanimë është në prag të “ndeshjes” më të madhe të jetës së tij sportive, por që këtë radhë nuk po e zhvillon në tapet. Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka marrë përsipër organizimin e Kampionatit Botëror të Mundjes së Lirë për Veteranët, që do të mbahet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, nga data 14, deri më 16 tetor 2011. Të 3 tavolinat që janë vendosur në zyrën e Federatës Shqiptare të Mundjes, që prej muajsh është zhvendosur në mjediset e Kompleksit Olimpik, që administrohet nga Agjencia për Shërbimin e Sportit, janë të mbushura me ftesa, broshura e shkresa të tjera të kanë të bëjnë me organizimin e kësaj veprimtarie të përmasave botërore. Në fakt, të bisedosh me Martin Bibën në ato kushte është praktikisht e pamundur. “Ndonëse banoj jo më larg se 500 metra nga Kompleksi Olimpik, ka dy javë që “nuk më sheh” shtëpia”, - pohon jo pa humor presidenti i FSHM-së, i cili është i martuar dhe ka dy djem. Duke folur në pauzat midis telefonatave që s’rreshtin me dy celularët e tij, kreu i mundjes shqiptare shpjegon se teksa afrohen ditët e kësaj veprimtarie, një numër i konsiderueshëm vullnetarësh dhe anëtarësh të Komitetit Organizator të këtij Botërori, po punojnë me ngarkesë të plotë anembanë kryeqytetit. “Janë afro 200 sportistë dhe mbi 100 e ca trajnerë, mjekë, fizioterapistë, gjyqtarë dhe zyrtarë që do të marrin pjesë në këtë kampionat botëror dhe një pjesë e mirë e tyre pritet të jenë të mërkurën në Tiranë, - rrëfen presidenti i FSHM-së. - Në momentin që po flasim, disa prej njerëzve tanë po i presin presin pjesëmarrësit në aeroport dhe po i shoqërojnë nëpër hotele.” “Një pjesë tjetër po merren me logjistikën dhe infrastrukturën, pasi drejtuesit e Federatës Botërore të Mundjes kanë nisur që sot inspektimin e kushteve në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ku natyrisht kushtet nuk kanë qenë edhe optimale, - vijon ai. - Natyrisht, këtu përfitoj të falënderoj këdo që po kontribuon në organizimin e kësaj veprimtarie, që është edhe një sprovë për të gjithë sportin shqiptar.” Presidenti Martin Biba falënderon në mënyrë të veçantë drejtoren e Agjencisë për Shërbimin e Sportit, ish-atleten e mirënjohur, Klodiana Shala, e cila, sipas tij, “i ka vënë në dispozicion FSHM-së të gjithë personelin e kësaj agjencie, duke u impenjuar edhe personalisht me ngarkesë të plotë në këtë drejtim”. “Klodi është e palodhur dhe ndihma e saj ka qenë e jashtëzakonshme dhe, të them të drejtën, ndjehem borxhli ndaj saj”, - ka shtuar ai. Në Kampionatin Botëror të Mundjes së Lirë për Veteranët do të marrin pjesë sportistë nga mbi 28 vende të botës, me një shtrirje të gjerë gjeografike, nga India dhe Mongolia në lindje, në Azi, tek Afrika e Jugut, e deri në Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut. e.t/NOA

KOMENTE