Tiranë, 11 tetor 2011, NOA/Albana Qehajaj – Komisioni Europian pritet që nesër të prezantojë progres-raportin e tij vjetor për vendet që aspirojnë për të marrë statusin e vendit kandidat apo që të nisin bisedimet për anëtarësim në BE. Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Etore Sekui nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment sa i përket përmbajtjes së progres raportit duke ftuar median dhe politikën të presin deri të mërkurën “Nesër kemi shumë gjëra për të thënë”, tha ambasadori Sekui, në promovimin e revistës “Eurospeak”. Nesër në orën 14.00, në Bruksel do të prezantohet progres raporti i KE për Shqipërinë dhe tek EU Infocenter, kwtu nw Tiranw, rreth orës 14:00 do të mund të ndiqet drejtpërsërdrejti konferenca për shtyp e komisionierit Stefan Fyle në Bruksel. Sekui informoi se pas konferencës për shtyp të Komisionerit Fyle, raportin do t’ia paraqesë Presidentit, Kryrministrit, zv/Kryeministrit dhe kreut të Opozitës, si dhe do të organizoj një konferencë shtypi. Një ditë më pas do t’ia paraqesë raportin Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Progres raporti do t’i paraqitet edhe shoqërisë civile, përfaqësuesve të biznesit, komunitetit akademik. "Do të shkoj në Shkodër dhe Vlorë për të paraqitur raportin në mënyrë që të ketë impaktin e duhur edhe jashtë Tiranës, në mënyrë që të mund të flas me segmente të ndryshëm të shoqërisë shqiptare. Qytetarët e informuar janë kyçi i suksesit të Shqipërisë për procesin e integrimit.Për këtë do të ndërmerret një fushatë ku do të jetë e përfshirë pyetja: "Pse është integrimi në favorin tim?”, sqaroi diplomati evropian.
EUROSPEAK
Revista informative ‘Eurospeak” publikohet me mbështetjen e Fondacionit gjerman, Friendrich Ebert Stiftung (FES), Drejtori i të cilit, Michael Weichert, u shpreh se “duke parë faktin që në Shqipëri shumica dërrmuese e qytetarëve janë pro integrimit, atëherë ia vlen të ngrejmë pyetjen përsë vazhdojmë të investojmë në ndërgjegjësimin për procesin e integrimit”. "EuroSpeak” do të jetë një revistë e përdymuajshme, e pasur me informacion të përditësuar dhe analiza mbi çështje të integrimit europian, me fokus të veçantë mbi zhvillimet e marrëdhënieve të BE-së me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Ajo synon të zvogëlojë hendekun aktual informativ mbi tema të tilla duke aspiruar të propozojë analizë cilësore dhe të pavarur e cila shkon përtej listimit të thatë të fakteve apo deklaratave të politizuara mbi integrimin në BE që ndeshen shpesh në media. a.q/NOA