English

Thaçi: Banka Botërore do ndihmojë Kosovën në projektet për zhvillim

Prishtinë, 11 tetor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim drejtorin e ri të Bankës Botërore për Kosovën, Jan Peter Olters. Në takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm të Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore, si dhe për thellimin e këtij bashkëpunimi. Kryeministri Thaçi theksoi rolin e rëndësishëm dhe mbështetës të drejtorit të deritanishëm të Bankës Botërore për Kosovën, Ranjit Nayak. Në takim, kryeministri Thaçi njoftoi udhëheqësin e ri të Bankës Botërore për vizionin e Republikës së Kosovës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, implementimi i të cilit është i bazuar në katër shtylla kryesore: ruajtjen e qëndrueshmërisë makrofiskale; investimet, përkatësisht mjedisin investues dhe përkrahjen e sektorit privat; zhvillimin e infrastrukturës publike; rivitalizimin e sektorit të bujqësisë; dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Nga ana e tij, drejtori i ri i Bankës Botërore, Jan Peter Olters theksoi përkushtimin e Bankës Botërore për të vazhduar mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në implementimin e suksesshëm të projekteve zhvillimore të vendit. Kryeministri Thaçi me këtë rast uroi Jan Peter Olters për marrjen e detyrës së re në krye të Bankës Botërore, si dhe vlerësoi lartë mbështetjen që Banka Botërore i ka dhënë Kosovës në të gjitha fushat. a.y/NOA

Në foto: Kryeministri Thaçi gjatë takimit me drejtorin e ri të Bankës Botërore për Kosovën, Jan Peter Olters

KOMENTE