Prishtinë, 11 tetor 2011, NOA – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka bërë të qartë ndërmjetësit të BE-së Robert Cooper se vijat e kuqe të platformës së Kosovës janë pavarësia, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i shtetit. Gjatë vizitës në Prishtinë pasditen e të hënës ndërmjetësi i Bashkimit Europian për dialogun Prishtinë-Beograd u prit në një takim nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ku të pranishme ishin edhe zëvendëskryeministret Edita Tahiri, Mimoza Kusari dhe ministrja Vlora Çitaku. Pas takimit dy autoritetet nuk bënë asnjë prononcim për gazetarët. Zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës bëri me dije detajet e diskutimit përmes një komunikate për shtyp. Në njoftim mësohet se kryeministri Thaçi pasi e falenderoi ndërmjetësin evropian Cooper për punën e tij si lehtësues i dialogut i ka përsëritur këtij të fundit qëndrimin parimor të Qeverisë së Kosovës se dialogu është vlerë evropiane. “Kosova është e gatshme të dialogojë me të gjithë fqinjët lidhur me zgjidhjen e problemeve praktike ndërshtetërore, në këtë kuadër edhe me fqinjin verior Serbinë”, mësohet të jetë shprehur kreu i qeverisë së Kosovës. Kryeministri Thaçi theksoi gjithashtu se Kosova ka treguar përgjegjshmëri të lartë në procesin e dialogut, duke shtuar se vlerësim të njëjtë ndajnë edhe Brukseli dhe Uashingtoni. “Republika e Kosovës ka axhendë euroatlantike dhe po punon pandërprerë që rruga e integrimit në NATO dhe në Bashkim Evropian të jetë sa më e shkurtër dhe që qytetarët e Kosovës t’i ndiejnë praktikisht të mirat që sjell procesi i integrimit dhe i reformave. Në këtë kuadër, edhe dialogu për çështje teknike me Serbinë është rrugë përmes së cilës të dy shtetet do të mund të zgjidhin çështjet e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe të interesit të ndërsjellë të qytetarëve të të dyjave vendeve”, nënvizoi kryeministri. Sipas Thaçit Kosova është e gatshme për të thelluar marrëdhëniet formale me Bashkimin Europian, duke i plotësuar të gjitha standardet dhe kriteret e domosdoshme të integrimit dhe anëtarësimit. I dërguari i baroneshës Ashton, Robert Cooper mbërriti në Prishtinë pas vizitës në Beograd me lajtmotiv zhbllokimin e dialogut teknik mes Serbisë dhe Kosovës, i mbërritur në një pikë kritike për shkak të bllokimit të rrugëve të veriut të Kosovës me barrikada nga ekstremistët serbë lokalë që përbëjnë shumicën e popullatës në veri. BS/mit/NOA