English

“Vjeshta II”, operacioni policor që çon në pranga të kërkuarit

Tiranë, 11 tetor 2011, NOA - Strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Kryeqytetit, vazhdojnë operacionin e koduar “Vjeshta II”, i cili konsiston në ngritjen e pikave të kontrollit në vende e sheshe të ndryshme në Tiranë, për kontrollin e mjeteve për të cilat ka informacion se gjenden sende, lëndë narkotike apo armë të kundraligjshme, apo për persona të cilët kanë kryer vepra penale dhe janë shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Në bazë të informacioneve zyrtare të dhëna nga policia e kryeqytetit, përgjatë 48 orëve të fundit janë kapur dhe arrestuar disa shtetas. Është arrestuar Fredi Bajram Tahiri, 37 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar me 4 vjet burg, për veprën penale të “Prodhim dhe shitjes së lëndeve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i K.P. Nga Komisariati i Policisë Nr.1 Tiranë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit I.H,16 vjeç, banues në Tiranë, sepse dje rreth orës 01.55, në rrugën “Abdi Toptani” në Tiranë dyshohet se ka vjedhur shumën e parave prej 908 000 lekësh, duke thyer derën e finacës së lokalit. Po për veprën penale të vjedhjes nga Komisaraiti i Policisë Nr.3 Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Edlir Andon Çerepi, 37 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, punonjës në firmën “Apeks”, sepse dje rreth orës 06.50, në Rrugën Egnatia, ka marrë në dorëzim punën, në firmën Apeks lojra fati dhe pas vazhdimit të punës rreth orës 08.00, nga kontrolli i bërë nga menaxheri i kësaj pike, rezulton se në kasafortën që administrohej për llogari të kësaj firme, mungon një shumë prej rreth 600.000 lekësh. Nga Komisariati i Policisë Nr.5 Tiranë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Arlind Rustem Muça, 26 vjeç, banues në Tiranë, sepse dje rreth orës 07.30, dyshohet se ka vjedhur banesën e një shtetasi, duke i marrë shumën e parave prej 8.000 lekëve. Nga puna e bërë rezulton se ky shtetas është autor i vjedhjes së lokalit të një tjetër shtetasi ndodhur me dt 29.09.2011. a.q/NOA

KOMENTE