English

Vlerësohen policët që finalizuan operacionin “Pritja e gjatë”

Tiranë, 11 tetor 2011, NOA - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ditën e sotme, ishte i pranishëm në ceremoninë e organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, për vlerësimin e një grupi punonjësish për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë punës së tyre në luftën kundër krimit, duke bërë të mundur goditjen e një grupi kriminal shumë të rrezikshëm, me aktivitet në qytetin e Tiranës. Në mënyrë të veçantë, Burgaj përgëzoi efektivin e operacioneve speciale, i cili mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në përballjen me grupin kriminal. “Shpreh besimin se ashtu si deri tani, ju do të vazhdoni të punoni me përkushtim dhe ndërgjegje, për t’i shërbyer sa më cilësisht komunitetit, me qëllim për të rritur gjithmonë e më tepër standardet e rendit dhe të sigurisë publike në vend”, theksoi z. Burgaj. Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Sajmir Muçaj, duke falenderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për nderimin e oficerëve të Policisë së kryeqytetit, e garantoi atë se rezultatet dhe parametrat e punës së kësaj Drejtorie do të jenë gjithmonë në rritje. “Operacioni policor i koduar “PRITJA E GJATË”, konsistoi në zbardhjen dhe arrestimin në flagrancë të grupit kriminal të përbërë nga 6 persona, që kryente “Vjedhje me armë” të lojërave të fatit dhe kazinove në Tiranë e qytete të tjera të vendit, ku u arrit te dokumentohen 23 vepra penale, të kryera në mënyrë sistematike, për periudhën Janar-Shtator 2011. Gjatë këtij operacioni, në përballje me kriminelët, nga shkëmbimi i zjarrit u plagos dhe një nga efektivët e Policisë”, theksoi z. Muçaj. Në fund të kësaj ceremonie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, u dorëzoi 16 oficerëve të policisë Çertifikata Lavdërimi për shërbime të dalluara, me motivacionin për profesionalizëm dhe rezultate të larta në finalizimin me sukses të operacionit policor për kapjen dhe arrestimin në flagrancë të disa shtetasve të akuzuar për kryerjen e disa vjedhjeve me armë në qytetin e Tiranës. a.q/NOA

KOMENTE