Tiranë, 11 tetor 2011, NOA- Prezenca e OSBE-së në vendin tonë në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit zhvilluan sot seminarin e parë nga dhjetë seminare trajnuese të parashikuara për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Në fjalën e mbajtur me këtë rast Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth u shpreh se, “Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve që po themelohen anembanë vendit përbëjnë një gur themeli në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Shpresojnë se ato do të kthehen në një simbol bashkëpunimi dhe koordinimi të efektshëm mes të gjitha grupeve të angazhuara në mbështetjen, mbrojtjen dhe udhëheqjen e fëmijëve”. Sipas tij, këto njësi duhet të bëhen gjithnjë e më të dukshme si dhe të fuqizohen për të shërbyer si një fanar ndriçues për të gjithë fëmijët që kanë nevojë për këshilla, për të gjitha familjet të cilave u nevojitet mbështetje, si dhe për gjithë të tjerët që i bashkojnë forcat në mbrojtje të fëmijëve si një nga kategoritë më të pambrojtura dhe më të pa favorizuara të shoqërisë sonë. Mësohet se objektivi i seminareve është që të promovojnë të drejtat e fëmijëve si dhe të sigurojnë një mbrojtje më efikase të tyre në nivel vendor, ku mësues, psikologë, mjekë familjeje dhe punonjës policie po marrin pjesë në këto trajnime ndërdisiplinore duke u njohur më gjerë me dispozitat e Ligjit Mbi Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, si dhe duke mësuar më tepër rreth Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve të themeluara në nivel vendor. Seminaret trajnuese zhvillohen në kuadrin e veprimtarive më të gjera të Prezencës me synimin për fuqizimin e kapaciteteve të Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve. Ky projekt po vihet në zbatim falë mbështetjes së Qeverisë Franceze, e cila prej shumë vitesh ka asistuar në implementimin e projekteve në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në vend. a.y/NOA