Ksanthi, Greqi, 12 Tetor 2011 NOA - Një çështje e koklavitur duket ajo që po trajtohet orët e fundit në Ksanthi të Greqisë, ku një vajzë 13 vjeçe ka denoncuar të atin se ai abuzonte me të seksualisht prej dy vjetësh kurse prindi mohon kategorikisht akuzën. Bëhet fjalë për një 36 vjeçar, emigrant shqiptar i cili familjarisht jeton në Ksanthi, raporton korrespondenti i agjencisë NOA. Një ditë më parë policia publikoi lajmin se vajza 13 vjeçe ka denoncuar të atin se e përdhunonte sistematikisht prej dy vjetësh dhe tashmë këtë gjendje nuk po e duronte dot. E mitura pardje mbaroi mësimin dhe nuk u kthye në shtëpi, por shkoi në rajonin policor ku rrëfeu pretendimet e saj. Madje e mitura tha se kërkonte ndihmë nga policia për arsye se e ëma nuk e kishte ndihmuar. Sipas denoncimit, 13 vjeçarja i kishte treguar nënës së saj por ajo i kishte kërkuar të mbahej e fshehtë kjo gjë pasi i vinte turp nga njerëzit. Vajzës i është bërë ekspertim mjekoligjor. Mjekët thanë se nuk mund të evidentoheshin shenja përdhunimi për shkaqe anatomike, pa dhënë hollësi të tjera. Nisur nga denoncimi, 36 vjeçari është arrestuar. Sot ai ka folur para grupit hetimor dhe prokurorisë, duke mohuar çdo dyshim. Prindi tha se përdhunimi sistematik ishte vetëm në mendjen e sëmurë të vajzës dhe çdo personi tjetër që mund ta thotë këtë. Tashmë adoleshentja gjendet në një qendër sociale ku po i jepet mbështetje psikologjike. Policia tha se ende nuk ka vendosur nëse do të ndalojë dhe penalizojë të ëmën që fshehu përdhunimin e denoncuar. n.s/NOA