Tiranë, 12 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj/Update – Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha në fjalën e tij në Këshillin Bashkiak i ka drejtuar një thirrje bashkëpunimi këshilltarëve të majtë. “Në këtë Këshill, mund të kemi edhe mendime për të cilat nuk do të jemi dakord, por çështja është që ne të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për gjithçka që është e mundur. Të dëgjohet fjala e çdo qytetari”, tha Basha pak minuta pas rikthimit në sallë të këshilltarëve të së majtës.
PS këmbëngul: Largohemi, u votua kundër procedurave
Menjëherë pas kthimit në sallë, kryetari i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi kërkoi shtyrjen e mbledhjes së sotme dhe rifillimin e saj sipas të gjitha rregullave. “Nuk jemi dakord me votimin nga e dy këshilltarë të cilët ende nuk kishin bërë betimin për marrjen e mandateve të tyre. Nuk jemi dakord me rendin e ditës ku janë futur disa akte në kundërshtim me rregulloren. Do të silleshim ndryshe, nëse do të na lihej koha e mjaftueshme për t’i parë. Por në kushtet e votimit skandaloz, mes tyre edhe dhe dy pikave të para të rendit të ditës ne po largohemi dhe presim reflektimin tuaj”, deklaroi Dalipi, ndërsa bashkë me këshilltarët e tjerë doli nga salla e Këshillit, për të dytën herë brenda 30 minutash.
Basha: Kjo, ditë e keqe për të bojkotuar
Kryebashkiaku Basha, ka ftuar të majtët të mos largohen, por bashkë me kryetarët e grupeve të tjera të këshilltarëve të gjejnë dialogun për të vijuar punën e Këshillit bashkiak. “Nëse shqetësimi bazohet kryesisht në vërtetësine e mandateve , jam dakord që bashkë me kryetarët e grupeve të tjera, të bini dakord për mandatet dhe të bini dakord për 2 aktet e sapomiratuara. Aktet kanë të bëjnë me segmentin e Unazës së Madhe dhe shpalljes së dy personaliteteve , “Qytetarë Nderi” të Tiranës. Mendoj se ka vend për diskutime”, deklaroi kryebashkiaku. Por ftesa e Bashës nuk i ndaloi të majtët të braktisin mbledhjen, ndërkohë që momentalisht, Këshilli Bashkiak po njihet me qëndrimin e kryebashkiakut dhe argumentimet e tij, pse duhen votuar projekt – vendimet.
Projekt vendimet që pritet të votohen sot në Këshill janë:
1 Dhënia e titullit “Qytetar Nderi i Tiranës”, për Kryeministrin e Kuvajtit dhe aktoren e mirënjohur shqiptaro-amerikane, Eliza Dushku.
2 Kalimi i futboll-Klub “Tiranës” në një shoqëri aksionere, siç e kërkon dhe vendimi i fundit i Federatës Shqiptare të Futbollit.
3 –Struktura e re e bashkisë, që konsiston në krijimin e pesë drejtorive të përgjithshme dhe gjashtë drejtorive të tjera dhe ngritjen e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Në strukturën e re të bashkisë pritet të funksionojë për herë të parë Drejtoria e Turizmit, një Drejtori për investimet e huaja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Investimeve Strategjike. 4- Eleminimi apo ulja e 60 taksave apo tarifave bashkiake
5- Pr/vendimi për hapjen e tenderit teknik për një segment të rëndësishëm të unazës së madhe, nga 'Shkolla Teknologjike' deri tek qendra 'Kristal'.
Këshilli bashkiak përbëhet nga 55 anëtarë, 28 prej të cilëve i përkasin koalicionit të djathtë "Aleanca për Qytetarin" dhe 27 koalicionit të majtë "Aleanca për të Ardhmen”.
a.q/NOA