Tiranë, 12 tetor 2011, NOA – Mbrojtja e mjedisit nga ndotja si kusht themelor për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve ishte kryefjala e Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e përjavshme të qeverisë. Shefi i qeverisë iu referua studimeve më të fundit bashkëkohore në botë që faktojnë se 40 përqind e vdekjeve vijnë nga ndotjet e ajrit. Në këtë suazë, kryeministri raportoi edhe situatën më të fundit sa i përket varrezave të makinave në rrugët kombëtare, që janë shndërruar në problemin kryesor të rritjes së ndotjes së mjedisit duke ndikuar ndjeshëm edhe në përkeqësimin e sigurisë rrugore në të gjithë territorin shqiptar. Kryeministri tha se nga kontrolli i Inspektoriatit të Mjedisit raportohet se janë larguar plotësisht nga vendndodhjet e tyre 317 grumbullime apo varreza makinash, ndërkohë që janë procesin e largimit 77 të tjera. Në vijim shefi i qeverisë bëri me dije se vetëm katër prej këtyre vendgrumbullimeve janë problematike, duke garantuar se mbi to do të veprojë ligji. Ndotja e mjedisit në Tiranë ishte një tjetër pikë e këtij shqetësimi, duke e vërejtur këtë si një emergjencë që kërkon zgjidhje të shpejtë. Kryeministri inkurajoi autoritetet e mjedisit të bëjnë matjet e në rast se ka tejkalime duhet të kryhet një aksion nga autoritetet vendore për zgjidhjen e problemit të ndotjes në Tiranë. “Nuk mund kurrsesi të helmojmë njerëzit. Tirana ka nevojë për punë të mëdha, por emergjencës duhet t’i përgjigjemi me emergjencë, pasi nuk kanë kusur mijëra fëmijë të vuajnë pasojat e ndotjes në kryeqytet”, tha Berisha. Në vijim të fjalës së tij, shefi i ekzekutivit vlerësoi qeveritë vendore, duke i inkurajuar që në axhendën e tyre çështje të parë të vendosin çështjen e mjedisit, si një kusht themelor për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. “Problemi i ndotjes duhet të konsiderohet parësor, dhe shmangia e saj një problem madhor, pasi unaza e hidrokarbureve është thellësisht kancerogjene”, tha kryeministri duke shtuar se ruajtja e shëndetit të qytetarëve përbën qëllimin kryesor të qeverisë. Këtu, ai vërejti qytetin e Korçës, ku ndaloi dy ditë më parë duke vlerësuar se “Në Korçë, nuk të kapte syri një copë letër, dhe inkurajoj që të kemi këtë nismë në të gjithë Shqipërinë. Pse të mos e kthejmë këtë nismë mbarëkombëtare, ne duhet të bëjmë një luftë të vendosur për largimin e të gjitha plehrave”, tha kryeministri. Ai nënvizoi se edhe do të ketë sanksione të rrepta për ata që nuk paguajnë gjobat. mit/NOA