English

Berisha: Qeveria s’e udhëheq dot opozitën

Kryeministri Sali Berisha priti sot pasdite, në takim, ambasadorin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri Ettore Sequi, i cili i dorëzoi Kryeministrit Progres Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2011. Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri Ettore Sequi tha se Progres Raporti është një mjet tepër i rëndësishëm dhe jep një panoramë të asaj gjendjeje ku ndodhemi ne sot dhe tregon ecurinë, ose mënyrën, për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit evropian. Kurse shtoi: “Z.Kryeministër ka shprehur vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar punën për vënien në zbatim të 12 prioriteteve kyçe të nxjerra në Opinionin e Komisionit Evropian vitin e kaluar. Ne besojmë që rruga e integrimit evropian është dhe duhet të jetë një objektiv mbarëkombëtar”. “Ne kemi besim, - vijoi Sequi, - që Shqipëria ka kapacitetet e duhura për të plotësuar standardet e larta që kërkohen për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për këtë, kërkohet vendosmëri, angazhim, përkushtim, si dhe mobilizimi i të gjitha përpjekjeve të të gjithë vendit. Unë nuk do të marr pyetje prej jush, në këtë moment, pasi do të japë një konferencë për shtyp më vonë, gjatë ditës së sotme”.

Më tej z.Berisha iu përgjigj pyetjeve të mediave, të cilat i gjeni të zbardhura më poshtë:

Ju sot morët në dorë zyrtarisht Progres-raportin, si e vlerësoni atë?

Dua të siguroj se procesi i integrimit evropian mbetet për qeverinë shqiptare një proces i një rëndësie themelore, në të cilin, në bindjen time më të madhe, nëpërmjet një universi të tërë reformash, qytetarët shqiptarë bëhen më të lirë, më të sigurt. Pra, kjo është një përcaktim i pandryshueshëm i yni ndaj këtij procesi. Sikundër, mbetem i bindjes më të thellë se ky proces, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, nuk mund të jetë tjetër përveç se kryekëput i bazuar në meritë dhe performancë. Shqiptarët, në konceptin tim, nuk do të mund ta gëzonin ndryshe një proces të tillë. Ndaj dhe jam i bindur se kjo është rruga më e drejtë, më e ndershme, më e sigurt. Nuk e kam lexuar Raportin, por apriori, unë e garantoj ambasadorin se, sikundër dhe në vite të tjera, Raporti përbën një program të vërtetë pune, për sa u përket reformave të qeverisë sime dhe të çdo agjencie përkatëse. Çdo sektor do ta shqyrtojë atë dhe do ta shndërrojë në plan pune.

Për Shqipërinë, vendimi vjen negativ për sa i përket statusit. Përse ndodhi kjo?

Një vit më parë, Komisioni Evropian ka renditur 12 kërkesa, që të gjitha absolutisht të drejta, që të gjitha kërkesa dhe reforma që realizojnë një afrim të mëtejshëm të Shqipërisë me BE-në. Disa nga këto kërkesa janë avancuar dhe gjërat kanë ndryshuar, pra reformat kanë sjellë ndryshimet përkatëse. Një pjesë e tyre kanë mbetur në vend numëro, sepse kanë kërkuar një votim me 3/5. Unë ia thashë edhe Ambasadorit, është një traditë fatkeqe, edhe këtu, por edhe më gjerë, që problemet i shohin te të tjerët e jo te vetja. Unë u them shqiptarëve që absolutisht problemet janë te vetja jonë, sepse kërkesat e Komisionit janë të drejta, sepse nuk ekziston asnjë vend tjetër në të cilin nuk votohet për kërkesat e BE-se. Në Shqipëri nuk votohet, ky është një fakt. Ky është një problem që duhet ta zgjidhin shqiptarët, në mënyrë paqësore, në mënyrë demokratike, por duhet ta zgjidhim dhe nuk mund të themi se nuk ekziston. Është i njohur fenomeni i përdorimit të votës për të bllokuar.

A jeni gati për dialog me opozitë

Unë jam i gatshëm të shoh përpara, jam plotësisht i gatshëm që nesër të adresojmë reformën zgjedhore. Por rivali im më propozon një skemë qesharake. Më thotë të ulemi në një tavolinë me konsensus, por ai këtë ta quajë konsensus dhe, kur të ketë të drejtë, të veprojë pa konsensus. Unë i them: zotëri, në qoftë se ti dëshiron pa konsensus, unë nuk të them jo, unë të votoj. Adreso amendamentet, dërgoji në institucionet ndërkombëtare dhe silli t’i votoj. Nëse do me konsensus, urdhëro të ulemi me ekspertët ndërkombëtarë, të hartojmë amendamentet dhe t’i votojmë. Por kurrë ndonjëherë, në një shumicë dhe as edhe një individ, nuk mund të poshtërohet, sepse t’i thuash një shumice hajde të punojmë me konsensus e pa konsensus, i thua mos prano. Ti thuash një opozite hajde të punojmë me konsesus e pa konsensus, i thua mos prano. Kështu që, reforma zgjedhore është plotësisht e mundshme për t’u zgjidhur. Çfarë po kërkohet? Kërkohet që Shqipëria të ketë një kuadër ligjor më solid për zgjedhjet. Kjo është shume e drejtë.

Një nga pikat më të rëndësishme të evidentuara në progres raport kishte të bënte me dialogun politik parlamentar. Vet zoti Fyle është shprehur se ka sinjale pozitive për dialog mes palëve. Si duhet ta kuptojmë ne këtë mesazh të zotit Fyle dhe, së dyti, nëse mund të flasim ndoshta edhe për përgjegjësi për humbjen e statusit?

Së pari, unë nuk mund të komentoj këtu deklaratat e z. Fyle, pasi unë nuk kam informacionet që ka ai. Unë di që zoti Rama, pasi humbi zgjedhjet, me një humbje të thellë prej 140 mijë votash, humbi dhe personalisht në Tiranë, u tha qytetarëve shqiptarë se ne, në shenjë pendese, “ne nuk do pengojmë procesin e integrimit, se ne do të votojmë çdo ligj për integrimin, madje heqim dorë edhe nga kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës, përderisa nuk pranohen nga pala tjetër”. Këto ishin premtimet publike që u përsëritën dy javë rresht,. Pas kësaj, kryetari i opozitës ndërroi pllakën në mënyrë të zakonshme dhe paraqiti 10 pika, nga të cilat, kërkesën për reformën zgjedhore. Ai dorëzoi një dokument, të cilin e studiuam dhe iu përgjigjëm privatisht, siç e deshi. Në këtë dokument u pranuan shumica dërrmuese e të gjitha kërkesave të tij. Natyrisht, nuk mund të pranohej propozimi që kishte për qëllim ta përmbyste reformën, të mos bënte reformën.

Pse s’mund të pranohej ky propozim?

Propozimi thoshte se duhet të ulemi me konsensus, me të drejtë vetoje dhe duhet të kemi të pranishëm OSBE/ODIHR-in në tavolinë, por, kur përfaqësuesit socialistë ta gjykonin të arsyeshme, t’i drejtoheshin Komisionit të Venecias - por këta që ishin të pranishëm këtu, a nuk vinin nga Komisioni i Venecias apo ODIHR-i - dhe ne t’i pranonim sinequanone. Natyrisht, kjo nuk mund të pranohet sot, as në vitin 2030. Nëse zoti Rama do që t’i hartojë të gjitha amendamentet, ka ekspertë të PS, t’i dërgojë të 52-ta në Komisionin e Venecias dhe ODIHR-it dhe ne i votojmë në parlament ‘no coment’. Kjo nuk është një reformë konsensuale, por, e sigurt, që është brenda standardeve ndërkombëtare, çka midis konsensualitet dhe standardit ndërkombëtar, unë do të zgjidhja standardin ndërkombëtar. Në rast se dëshiron ndryshe, të ulemi me ekspertë të OSBE/ODIHR dhe ka një traditë 20 vjeçare për këtë, të biem dakord për 52 kërkesat e të ecim para. Por këtë, ai nuk e pranon.

Po rregullorja e Parlamentit që kërkohet të ndryshohet?

Kjo është pika tjetër që ramë dakord plotësisht. Për rregulloren e parlamentit jam gati të ngarkojmë përfaqësuesit nga komisioni ynë në Parlamentin Europian, të ulemi e ta marrim rregulloren e Parlamentit Europian nen për nen. Rregullorja e Parlamentit Europian është thellësisht demokratike, e faktuar dhe e provuar dhe nuk të lë të komentosh se ky vend e ka të tillë dhe një tjetër të atillë. Aty mendoj se është rezultantja e mendimit, e doktrinës më të përparuar të funksionit të parlamentit dhe ne e ofruam këtë. Por nuk dëshiron. I kërkuan të propozojë Avokatin e popullit. Nuk dëshiron. Dhe kjo sepse e ka hallin të marrë pushtet në tavolinë. Që të gjitha ia dërgon zotit Topi. Të 7 pikat e tjera janë të ulemi të mos biem ne dakord, por të bëjë zoti Topi ato që thotë zoti Rama. Kurrë ndonjëherë, një shumicë nuk mund të shndërrohet në pakicë. Kush mendon se mund të shndërrojë një shumicë në pakicë dhe e tentoi disa herë zoti Rama, por mori përgjigjet që i takonin. Shumica është shumicë e pakica, pakicë. Shumica qeveris, pakica respektohet. Të gjithë të tjerat nuk kishin asnjë domethënie. Po nuk i zgjidha me ty, i zgjidh me zotin Topi. Të ulemi për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, KLD-në etj.. Zoti Topi është Presidenti i Republikës, por ky vend ka një shumicë që përfaqëson vullnetin e shumicës së shqiptarëve. Sikundër Presidenti i Republikës është i pavarur dhe shumica është mbartësja e sovranitetit, i dhënë me votë. Kishte rast. Erdhën edhe dy ministra të Jashtëm dhe ju i dini vetë reagimet, nuk është nevoja t’i komentoj këtu. Pra, ky zotëri e ka gjetur veten në rol bllokimi. Ka bërë zgjidhjen e tij. Ndaj unë ia thashë edhe ambasadorit dhe ia them edhe këtu, se kjo është një çështje që do ta zgjidhin shqiptarët. Shqiptarët votuan në 8 maj, 140 mijë vota më pak për koalicionin e tij, edhe pse i ftoi për plebishit kundër meje, i shpalli zgjedhjet plebishit politik kundër qeverisë dhe mori atë që meriton, edhe personale, edhe si koalicion në tërësi. Një gjë është e sigurt, njeriu i thjeshtë në këtë vend është shumë më i mençur e i kthjellët, sesa e mendon zoti Rama dhe entourage i tij. Çdo ditë kanë krijuar një bursë shpifjesh, mashtrimesh e sharjesh dhe kuotojnë njëri-tjetrin, në varësi se kush shan më shumë, kush shpif më shumë. Në rregull vazhdojeni, por 8 maji dëshmoi sa keni qenë të aftë të bindni shqiptarët me shpifjet e gënjeshtrat tuaja. Zoti Rama kërkon të bëni bashkë ligjet me 3/5. Cila është përgjigjja juaj?

Ligjet me 3/5, për të gjithë ata që njohin teknikën ligjore, janë ligje që pa përjashtim bëhen nga qeveritë, në raste shumë të rralla mund të jetë çështje imuniteti, sepse janë Kode, madje edhe qeveritë nuk i bëjnë vetë, por kontraktojnë firma konsulente juridike brenda e jashtë vendit dhe ta dini se ka një shpenzim të madh në hartimin e ligjeve. Por, pa diskutim, pavarësisht se çfarë shkruan qeveria, vulën ai vë parlamenti. Ato shkojnë projekte atje dhe shndërrohen në ligje, pasi votohen në parlament. Zoti Rama është i pranishëm aty, ka komisione, anëtarësi në të gjitha komisionet, i ka të gjitha, por kërkon t’i hedhë hi syve shqiptarëve. Në këtë dy muaj, cila ishte tema e preokupimi i tij më madhor? Dy ishin: të maskonte kabllin e tmerrshëm, të bërtiste çdo ditë si i shpërfytyruar, për një problem që kush në botë, përveç tij, nuk bërtiste. A ishte ky kablli më i tmerrshëm, apo ky njeriu me ndjeshmërinë më të madhe, atë një Zot e di, por realiteti ky është. Dhe e dyta, si të shesë 10 pikat e tij, hetim për kabllot, letër Ina Ramës dhe reformë ‘alla Rama’. Kjo është e vërteta. Prandaj them se do ta zgjidhin shqiptarët. Miqtë janë absolutisht të interesuar dhe kanë bërë përpjekje shumë të mëdha dhe në mënyrë absolute, asnjë për të ndihmuar në mënyrë të posaçme qeverinë, por për të ndihmuar Shqipërinë. Kjo është e vërteta. Por rezultati është bllokimi i votës me 3/5. Ndaj mbetet që qeveria të bëjë gjithçka me reforma të tjera, por opozitën nuk e udhëheq dot. Në instancë të fundit, është në detyrim e saj kushtetues të respektojë sovranitetin e opozitës dhe unë ju garantoj se do ta respektojmë. Komisioneri Fule deklaroi se për Shqipërinë do të ketë një shans të dytë në dhjetor ose në marsin e vitit të ardhshëm. Çfarë mund të bëjë më shumë mazhoranca për të afruar opozitën, në mënyrë që të krijohet një situatë më konstruktive për këtë? Unë mendoj që një opozitë dhe një njeri që ka vendosur interesin personal mbi interesin e çdo shqiptari përbën një problem serioz. Mua nuk më takon të avancoj paragjykimet se nuk paragjykoj kurrë, më takon të jem i hapur, fleksibël për dialog, në atë suazë që theksova, duke respektuar një tufë të vogël parimesh që janë jetike në gjykimin tim dhe që absolutisht i kam mbrojtur me vendosmëri që në ditët e parë në politikë e gjer më sot. Aty mbetem i palëkundur. Ju thatë se çështjen e integrimit do ta zgjidhin qytetarët shqiptarë, por jemi shumë larg zgjedhjeve të ardhshme 2013. Atëherë duhet të presim deri atëherë që të vazhdojmë me proceset e mëtejshme integruese? Sipas entourage të zotit Rama, ai u thotë atyre se 2017-a nuk është larg dhe e ka fjalën për t’u bërë kryeministër se aty e ka të gjithë ëndrrën e tij. Ëndrra kryeministrore nuk është ëndërr e keqe, për këtë nuk i them gjë, por uroj që të ketë më shumë realizëm, se do ta ndihmojë. Por vetëm shqiptarët do ta zgjidhin. Se është realitet që nuk janë votuar ligjet dhe ato nuk janë lige që cenojnë asnjë shqiptar, përkundrazi janë ligje që përmirësojnë më tej sistemin e këtij vendi, që ka nevojë për përmirësime të vazhdueshme. Nuk jam këtu të akuzoj zotin Rama e askënd tjetër, jam këtu, thjesht për të thënë atë që gjykoj, që janë qytetarët shqiptarë, sepse u bë çdo përpjekje e jashtëzakonshme, tryeza nga më të shumtat, telefonata, letra, të gjitha. Dhe çfarë patën si rezultat? Për të patën rezultat 21 janarin, verdikti i shqiptarëve - rrethimin e KQZ. Por sërish nuk mund të them se ai nuk është pjesë e jona, është kryetari i opozitës që ka bërë këtë zgjedhje dhe nuk lodhem t’i them as anti kështu apo anti ashtu. Ai ka bërë këtë zgjedhje, sepse mendon se në këtë mënyrë interesi i tij personal, pas ëndrrës kryeministrore, gjen strehën më të ngrohtë. Shqiptarët janë njerëz të mençur e do të dinë të thonë fjalën e tyre. FUND

KOMENTE