Tiranë, 12 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Nëpërmjet një konference të përbashkët për mediat Kryeministri Berisha dhe ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë Ettore Sequi komentuan Progres Raportin e publikuar sot lidhur me integrimin. Në fjalën e tij Sequi e cilësoi raportin si realist, ndërsa shtoi se Kryeministri Berisha ka shprehur përkushtimin e tij për integrimin në BE. “Ne besojmë se Shqipëria i ka kapacitetet e duhura për të plotësuar standardet për të hapur negociatat për integrimin në BE, për këtë duhet besueshmëri dhe përkushtim”, u shpreh Sequi. Nga ana e tij Kryeministri Berisha shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për Komisionin Europian për ndihmën e madhe që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë. “Siguroj se procesi i integrimit Europian mbetet për qeverinë shqiptare, një proces i një rëndësie themelore, në të cilin në bindjen time më të madhe nëpërmjet një universi të tërë reformash qytetarët shqiptarë bëhen më të lirë dhe më të sigurt. Kjo është një përcaktim i pandryshueshëm i yni ndaj këtij procesi sikundër mbetem i bindjes më të thellë se ky proces në interesin më të mirtë të qytetarëve shqiptar nuk mund të tjetër veçse i bazuar në meritë dhe performancë”, u shpreh Berisha. Ai tha se nuk e ka lexuar raportin por garantoi ambasadorin e BE se sikundër dhe në vitet e tjera raporti përbën një program të vërtetë pune, për sa u përket reformave të qeverisë dhe se çdo sektor do ta shqyrtojë atë dhe do e shndërrojë në plan pune. Berisha shtoi se për Shqipërinë, mendimi vjen negativ për sa i përket statusit të vendit kandidat, pasi një vit më parë KE ka renditur 12 kërkesa që të gjitha absolutisht të drejta, që të gjitha kërkesa dhe reforma që realizojnë një afrim të mëtejshëm të Shqipërisë me BE. Ai tha se disa nga këto kërkesa kanë avancuar por një pjesë e tyre kanë ngelur në vend numëro sepse kanë kërkuar një votim me 3/5. “I thashë dhe ambasadorit se është një traditë fatkeqe që problemet i shohim tek të tjerët dhe jo te vetja, unë u them shqiptarëve se problemet janë te vetja jonë, se nuk ekziston asnjë vend tjetër ku nuk votohen kërkesat e BE, por në Shqipëri nuk votohen. Unë jam i gatshëm të shoh përpara, jam i gatshëm që nesër të adresojmë reformën zgjedhore, por rivali im propozon inskenim qesharak, të ulemi në tavolinë me konsensus dhe kur të ketë të drejtë të vote ta japë pa konsensus, unë i them me konsensus të votoj, adreso amendamentet dhe silli ti votojmë”, deklaroi Berisha duke i drejtuar ftesë Ramës që nëse do me konsensus le të ulen me ekspertë ndërkombëtarë. Berisha shprehu se është hapur për dialog, por duke mos shkelur disa parime bazë kushtetuese të vendit. Ai theksoi se Shqipëria ngelet e vendosur të punojë për të gjitha problemet e ngritura në raport, ngelet e hapur për dialog natyrisht brenda disa parimeve themelore kushtetuese dhe demokratike. Ndër të tjera Kryeministri Berisha tha se, “Zoti Rama pasi humbi zgjedhjet me një humbje të thellë me 140 mijë vota, u tha qytetarëve shqiptarë se nuk do pengoj procesi ne integrimit dhe se do votoj për ligjet për integrimin, pas kësaj kryetari i opozitës ndërroi pllakën në mënyrë të zakonshme dhe paraqiti 10 pika nga të cilat kërkesën për reformën zgjedhore.U pranuan shumica e kërkesave, por nuk mund të pranohej propozimi i tij që përmbyste reformën se kur përfaqësuesit socialist ti drejtohen komisionit të Venecias. Më vonë gjithë rekomandimet ia dërgon Presidentit Topit dhe kërkoi që zoti Topi të bëjë atë që thotë Rama, pasi ai që mendon se mund të shndërrojë një shumicë në pakicë, e tentoi shumë herë zoti Rama por dështoi. Por Rama e ka gjetur veten në rol bllokimi”. a.y/NOA
Në foto; Shefi i delegacionit të BE, Ambasadori Ettore Sequi dhe Kryeministri Sali Berisha