English

Brenda tetorit rikthehen në qarkullim targat KS

Prishtinë, 12 tetor 2011, NOA – Pa u mbushur një vit nga vendosja e targave të reja me inicialet e Republikës së Kosovës në Kosovë do të rilëshohen për shtetasit serbë dhe disa shqiptarë edhe targat KS që mbanin makinat kosovare kur shteti i ri nuk kishte shpallur statusin e Pavarësisë. Faktin e ka bërë publik ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili deklaroi se përgatitjet për prodhimin e këtyre targave janë drejt përfundimit. Kjo tha Rexhepi është paraparë në marrëveshjen e korrikut e arritur ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe për lirinë e qarkullimit ndërmjet të dyja vendeve. Për targat KS, Rexhepi tha se do të lëshohen brenda muajit. “Do të fillojmë. Edhe udhëzimin administrativ po e përgatisim. Do të lejohen deri më 1 nëntor ato që janë zhdoganuar, me një deklarim që janë kryer më herët”, theksoi për gazetën “Koha Ditore” ministri Rexhepi, duke shtuar se furnizimi me to mund të bëhet edhe para 1 nëntorit. Me targat që janë zëvendësuar në dhjetorin e vitit të kaluar me ato RKS, nuk do të mund të pajisen veturat e secilit pasagjer që shpreh dëshirën për t’i pasur. Për të mos i bërë krejt njëetnike, këto targa do t’u lëshohen edhe disa shqiptarëve. Megjithëkëtë, kërkesës për t’u pajisur me to i duhen bashkëngjitur argumente të forta për nevojën se me to duhet të ngasin makinat në Serbi. “Kryesisht (targat KS i lëshohen v.j.) komunitetit serb, por edhe për shqiptarët, vetëm nëse kanë ndonjë arsye të madhe dhe ato do të precizohen në udhëzim administrativ”, tha Rexhepi. Këtu vërejti ai futen edhe ata që kanë ndonjë familjar, ndonjë biznes, a ndonjë sëmundje. KD/NOA

KOMENTE