English

Këshilltarët e majtë: Shkojmë në Këshill, por të nisë nga fillimi

Tiranë, 12 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Pas largimit nga mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak që pas konstituimit, këshilltarët e koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen” u mblodhën në selinë e Partisë Socialiste për të hartuar dhe artikuluar qartë qëndrimin e tyre. Edhe këtë herë ka qenë kryetari i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi , i cili në prani të këshilltarëve të tjerë, ka lexuar vendimin e marrë këtë të mërkurë, pas replikave në Këshillin Bashkiak. “Në mbledhje u përballëm me arrogancën e një mazhorance të dalë nga votat e vjedhura të 8 Majit. Sot u ushtrua presion duke na dhënë një skemë të deformimit të rregullores së Këshillit. Në votimin e parë: rendi i ditës përcaktohet në jo më pak se 8 ditë para mbledhjes. Por sot, u paraqitën vendime të pashqyrtuara nga këshilltarët e djathtë dhe të majtë. Së dyti, votuan 2 këshilltarë që ende nuk kishin marrë mandatin Së treti, në kohën kur këshilltarët e “Aleancës për të Ardhmen” ishin mbledhur për diskutim në grup, në sallë u krye votimi për dhënie mandatesh, ndërkohë që rregullorja thotë se, për këtë duhen të paktën 28 vota”, tha Dalipi gjatë prononcimit në selinë e PS-së.

Sipas të majtëve, kjo bën që çdo vendim i mundshëm në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të jetë nul dhe i paligjshëm. “Shprehim keqardhje për gjithçka, pasi ne duam të ndikojmë në cilësinë e jetës së qytetarëve, por jo duke shkelur ligjet. I bëjmë thirrje anëtarëve të Këshillit, të kthehet diskutimi me opozitën në bazë të rregullores dhe ligjit. I kërkojmë Kosovrastit, i cili inicoi gjithçka që nga fillimi, t’i kthehet ligjshmërisë së Këshillit”, tha Dalipi, i cili lajmëroi edhe fillimin së shpejti të një procedimi penal për situatën e krijuar sot pasdite në Këshillin Bashkiak. a.q/NOA

KOMENTE