English

Kryetarë e tregtarë, lironani trotuarë!

Nga Sazan Guri Për herë të parë ndodhi që një Bashki si Tirana, në këtë fillim muaji, të urdhërojë për lirimin e trotuareve dhe jo për shkelje të njërit sy e bashkë me të edhe shkelje trotuari, siç ka qenë deri sot. Pas 20 vjetësh tranzicion pa mbarim po na duket si ëndërr se një ditë edhe ne, si gjithë dynjaja, do të kemi trotuare të liruara dhe jo trotuare të zaptuara, trotuare publike dhe jo të përdorura dhunshëm si hapësirë private. Në njërin kuptim, më mirë nuk ka. Ia vlen dhe komplimenti i të përshëndeturit, bashkë me të edhe urimi për këtë ogur të mirë. Por, kur shikon se ca trotuare u liruakan dhe ca të tjera u vazhduakan, atëherë ndalu beg. Pa le kur dëgjon se këtij syreshi ia hoqën se ha ca si majtas e këtij ia lanë se është yni, i djathtë, atëherë ndalu dhe turru problemit pastaj. E mo, se thashetheme janë, ia prita njërit në një diskutim gjatë një vakiati. Mirëpo, kur me të vërtetë vëren se atyre të njerkës iu morën edhe vazot e luleve dhe atyre tanëve iu lulëzojnë lulet, një tis dëshpërimi të ngelet në mendje dhe të duket sikur jemi një shtet i përveçëm. Edhe jashtë ndodh që të ketë tavolina në rrugë, por ato janë në zona të caktuara, atje ku i shërbehet bashkimit të komuniteteve, ku vetë ato shërbejnë si qendra të unifikimit të qytetarëve. Ndaj dhe ato projektohen si qendra urbane, pranë qendrave të qyteteve, ku dhe kur ti me kafen pranë rri e sodit një vepër arkitekturore përkundruall, si kishën “Stefan”, fjala vjen, në Vjenë, apo teatrin ku ka lozur i madhi Aleksandër Moisiu në Berlin, ose Duom-ot në qendrat e qyteteve Milano, Bolonja etj., thjesht dhe për çështje shëndeti, ku si në radhë kinemaje me kafen përbri, me fytyrë nga qielli, çifte-çifte ulen për të marrë rrezet e munguara të diellit si në vendet e ulëta. Dhe te ne mund të kemi ulje të tilla. Ku? Pikërisht atje, në qendër, ku mund të soditësh Heroin Legjendar, apo minaren e fildishtë të Xhamisë, apo kubenë e artë të Kishës, apo sahatin e Et’hem Beut, si më të vjetrin në Europë, edhe se Big Beni i Londrës, por jo në çdo cep rruge, ku Bashkia, si ajo e djeshmja, dhe kjo me gjysmë zëri apo me zë të diferencuar, e sotmja, u jep mundësinë tregtarëve, bashkë me ta njerëzve të zhgërryhen e të zaptojnë vendkalimet publike. Meqë ra fjala e zhgërryerjes, vendi ynë, për fat të keq, ndoshta është i vetmi në botë ku kafeja llufitet në rrugë, avash-avash, qejf o qejf, njësoj si ditët e fundit të javës, ashtu dhe ditët e mesit të saj. Ke parë ti, edhe dita e parë e javës, madje orët e para të saj, në vend se të gjendesh në zyrë apo në punë e të vrasësh mendjen se çfarë do programosh, apo se ç’motiv do të gjesh që të lëvizësh apo të kryesh punën e radhës, ti me çakërrqejf gjendesh para tavolinës së kafesë buzë trotuarit. Shqiptarët, të përveçëm dhe si askush tjetër edhe në qëndrimin ndaj kafesë?! Ende pinë kafe turke, ku vetë turqit ia kanë harruar emrin. Pinë kafe në hapësirë publike, ku jashtë shtetit nuk guxon mbret e kryeministër t’i zërë ato. Pinë kafe ulur e avash, kur në vendet e tjera kafeja gjithë javën pihet eksi e në këmbë, pranë banakut, nxitimthi, sa që shumë syresh, për shkak të ritit javor, edhe kur janë pushim gjatë së dielës, u ndodh që të sillen me kafen e shpejtësinë e hapave si gjatë javës. Ndërkohë që në shumë shtete amerikane, në filxhanët e kafesë shkruhet “American run” – vrapo amerikan. Një Bashki që u jep mundësinë qytetarëve të vet, ashtu në pozicion ulur gjysmë përdhe, se si të shikojnë nga poshtë kalimtaret vajza, që të detyruara u kalojnë pranë në rrugicat e mesotavolinave të mbërthyera në shqetësim. Ajo që të vjen plasje, si ka mundësi që për 100 vjet qysh nga koha e Eqrem bej Vlorës, kur një fisniku si ky me këpucë shushain i binte të kalonte mes tezgave mejhanesh, piperkash, qepësh apo gegëve me qofte e bozë e llallë, mes pluhurit e baltës dikur, e sot, mes pluhurit e marmitave të naftës. Atëherë na i kish fajin turk vëllai që pas liste na la. Po sot? Si ka mundësi që të tregtohet djathi, ulliri, gjiza, frutat, zarzavatet, pa lëre peshku, mishi, në rrugë e rrugica, madje më keq se 100 vjet më parë? Pra, kur do të vijë dita që ushqimet të mos shiten si njëqind vjet më parë, apo si në kohën e Mit’hat bej Frashërit, në m’b’udhë, ku atëherë s’kishte as makina, as pluhur, as kaq kamkum milet dhe as këtë ushqim me marifet. Me logjikën se ai shitësi në m’b’udhë do të ushqehet nuk mund të ecet më. Mos vallë kambistët, dikur në rrugë e pa rregulla, po ngelen pa u ushqyer sot me pika shitje këmbimi e me rregulla? Ndaj qytetari sot kërkon se si ju, kryetarë e tregtarë t’iu ktheni trotuaret e zëna keqas me tavolina plot me djem, që dembeltazi zhgërryhen me kafe e pije, duke mos lënë vajza pa parë në ije. Ndaj qytetari sot kërkon se si ju, kryetarë e tregtarë t’i inkurajoni ecjen më këmbë në trotuaret e ndriçuara, dhe jo me tavolina që të stërkëmbin qytetarët si të tmerruar. Ndaj qytetari sot kërkon se si ku, kryetarë e tregtarë, të lironi trotuare nga ato ndërtime buzë tyre, ku pa të drejtë trotuari rrethohet me gardh e kthehet në magazinë gomash për vite të tëra, (35-katëshi pranë Albtelekomit ose…..), nga bill bordet të vëna kuturu, nga sinjalistika të vëna aty-këtu, nga koshat e plehrave gjithë erë, nga pusetat me aromë veze të prishur. Prandaj, gjithë së toku thërrasim: Kryetarë e tregtarë, lironani trotuarë.

KOMENTE