English

Ksera: Programe specifike për sigurinë në punë

Tiranë, 12 tetor 2011, NOA- Situata e sigurisë dhe shëndetit në punë bëri që ditën e sotme të mbahet një Konferencë Kombëtare për këtë çështje. “Siguria dhe Shëndeti në Punë”, ishte titulli i konferencës ku ishte i pranishëm Ministri i Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Spiro Ksera. Në fjalën e mbajtur me këtë rast Ksera u shpreh se në fokus të ministrisë është përmirësimi i vazhdueshëm i kushteve të punës si dhe promovimi i të drejtat të punëtorëve për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm në punë. Referuar ndryshimeve ligjore në vitet e fundit në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, ministri Ksera vlerësoi se krahas miratimit të Strategjisë Kombëtare për Sigurinë e Shëndetin në Punë, 2009-2013 dhe Ligjit “Për sigurinë dhe shëndetit në punë”, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, po vazhdon procesi i ndërtimit të kapaciteteve të strukturave përgjegjëse inspektuese. “Çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë nuk janë çështjet e një Qeverie, as edhe një vendi të caktuar, ato janë çështje globale dhe si të tilla kanë tërhequr dhe tërheqin vëmendjen e organizmave ndërkombëtarë, qeverive, përfaqësuesve të punëdhënësve dhe punëmarrësve, duke i vendosur ata në një front të përbashkët për ngritjen e aksioneve që jo vetëm promovojnë të drejtat e punonjësve për një mjedis të sigurt, por edhe përcaktojnë detyrimet e secilit aktor për marrjen e masave parandaluese që garantojnë mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të çdo punonjësi në vendin e punës”, u shpreh Ksera Sipas ministrit, “Siguria parandaluese dhe kultura shëndetësore nuk është e lehtë të arrihet menjëherë në të gjithë sektorët e punësimit në rang kombëtar, ndaj puna jonë duhet të fokusohet në realizimin e programeve specifike të sigurisë dhe shëndetit, të cilat të jenë të suksesshme në nivel ndërmarrjeje, gjë që arrihet vetëm nëpërmjet një angazhimi të lartë menaxhimi dhe pjesëmarrjes aktive të punëtorëve, prandaj në këtë fushë roli dhe angazhimi i partnerëve socialë është i një rëndësie të veçantë”. Në përfundim Ksera kërkoi nga partnerët vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh, punëdhënës- punëmarrës, për ngritjen dhe funksionimin e Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në bazë ndërmarrje, për të realizuar kështu qëllimin final, sigurimin e kushteve optimale të punës për të gjithë punonjësit. Ndërkaq mësohet se qëllimi i Konferencës ishte rritja e ndërgjegjësimit të institucioneve, partnerëve dhe shoqërisë për nevojën e marrjes së masave për parashikimin dhe parandalimin e dëmtimit të shëndetit dhe jetës në mjedisin e punës. Në Konferencën Kombëtare u mblodhën bashkë institucionet politikëbërëse, inspektoriatet në fushën e sigurisë, partnerët socialë, si dhe përfaqësues të Agjencisë Europiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë dhe Agjencisë për Cilësinë e Jetës në Holandë. a.y/NOA

Në foto: Ministri i Punës, Spiro Ksera

KOMENTE