English

Poezi dhe muzikë shqipe buzë Baltikut

Në Suedi u mbajt festivali i Poezisë dhe i Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë. Vendi i Parë për poezi iu dha Muhamet Krasniqit, kurse ai për muzikë iu dha Ahmet Bellës – U bë edhe prezantimi i disa librave të botuara brenda dy festivaleve të krijuesve nga diaspora shqiptare Malmë, Suedi, 12 Tetor 2011 NOA/ Ramadan Reshitaj – Në Malmë, në qytetin jugor suedez që shtrihet buzë detit Baltik, u gërshetua poezia dhe muzika e krijuesve shqiptarë në diasporë. Mëse 30 krijues letrarë dhe 7 pika të muzikës krijuese u prezantuan gjatë Festivalit të IX të Poezisë dhe të Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë, i cili i cili tashmë tradicionalisht organizohet nga Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi. Në mesin e krijuesve letrarë dominuan krijuesit nga Suedia, mirëpo në festival me sukses u prezantuan edhe krijues shqiptarë që jetojnë në Francë, Gjermani e Norvegji. U prezantuan edhe poezitë e dy poeteve nga Shqipëria. Ndërkaq në pjesën muzikore, u prezantuan veprat e kompozitorit Ahmet Bella që jeton dhe krijon në Suedi. Festivalin, në emër të organizatorit, e shpalli të hapur Fikrije Bajraktari, kryetare e Kryesisë së Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, në radhët e të cilit funksionojnë mëse 35 shoqata anëtare që nga jugu e deri në veri të këtij shteti skandinav. Përpos krijuesve letrarë e muzikorë, dashamirëve të këtyre vlerave artistike nga radhët e bashkëkombësve, në Festivalin e IX ishin edhe krijues, përfaqësues të institucioneve kulturore e shqoërore vendase si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit, të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë si dhe të Ministrisë për Diasporë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në emër të këtyre ministrive, krijuesit dhe pjesëmarrësit i përshëndeten këshilltarët Ragip Gjoshi e Elizabeta Musliu si dhe Sami Priaj zyrtar i lartë. Si zakonisht, para prezantimit të poezive dhe pikave muzikore konkurruese, Festivalit i parapriu prezantimi i librave të botuara brenda festivalit të kaluar dhe këtij të fundit, autorë të së cilave ishin krijuesit nga diaspora shqiptare. U prezantuan dy libra të Ramadan Reshitajt, dhe nga një libër i Rizah Sheqirit, Qerim Raqit dhe Fikrije Bylkygbashit. Juria e Festivalit të IX, në përbërje Ragip Gjoshi, letrar – kryetar i Jurisë, Sami Piraj, muzicient dhe publicist, anëtar, Sadulla Zendeli – Daja, krijues letrar, Ramadan Reshitaj, publicist dhe përfaqësues i Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, anëtar dhe Ajet Bogiqi, mësimdhënës, anëtarë, pasi përcollën me vëmendje të gjitha krijimet konkurruese, morën vendim që të ndajnë këto shpërblime: Vendi i parë për poezi iu dha Muhamet Krasniqit për poezinë ”Arkeolog i vonuar”. Vendin e dytë për poezi e ndanë Liridona Jakupi me poezinë ”Ndjenjë e ngrirë” dhe Fikrije Bylygbashi me poezinë ”Ishulli i vdekjes”, kurse vendin e tretë për poezi gjithashtu e ndanë Beqir Hatashi me poezinë ”Fjala e fundit” dhe Zyrafete Manaj me poezinë ”Lule nga larg”. Vendin e parë për muzikë, juria ia ndau kompozitorit Ahmet Bella për veprën muzikore ”Pjesë nga poema Dradania”. Vendi i parë për poezi dhe muzikë ishte në vlerë prej 1200 koronash suedeze, vendi i dytë prej 1000 koronash dhe vendi i tretë në vlerë prej 800 koronash suedeze. Në bazë të vendimeve të Jurisë Shpërblimi ”Pena e Festivalit të IX” iu dha krijuesit letrar Qerim Raqi, për poezinë ”Vitet pa ty”, kurse Shpërblimi ”Kosovë Rexha – Bala” që ndahet në nderim të poetit të ndjerë që jetoi e krijoi në Suedi dhe që përbëhet nga një komplet librash të autorëve nga diaspora shqiptare, sivjet iu dha suedezit Ullmar Qvick, i cili krijon edhe në gjuhën shqipe për poezinë ”Melankolia”. Shpërblimin e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që ishte një botim ekskluziv për Kosovën, Juria ia ndau Bedri Pacit për poezinë ”Liqeni në diasporë” dhe Kuarteti muzikor për interpretimet e veprave muzikore. Në emër të kësaj ministrie librat i dorëzuan Sami Piraj dhe Nafije Grainca. Për angazhim në organizimin e festivalit, ky libër iu dhurua edhe Ramadan Reshitajt. Mbajtja e Festivalit të IX i Poezisë dhe të Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë, përpos organizatorit, Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, u ndihmua dhe u mbështet materialisht edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Departamenti i kulturës së komunës së Malmës si dhe organizatat joqeveritare suedeze ABF dhe Studiefrämjandet. Organizatorët i thanë agjencisë NPA se vitin e ardhshëm do të organizohet Festivali i X Jubilar, në të cilin pritet një pjesëmarrje edhe më e madhe e krijuesve shqiptarë nga diaspora si dhe pritet të botohet një antologji me të gjithë pjesëmarrësit në festivalet e deritashme. Në fotot: Pamje nga Festivali i IX Kuarteti i ansamblit muzikor të udhëhequr nga Ahmet Bella r.r/e.t/NOA

KOMENTE