Tiranë, 12 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Vetëm pak orë pas largimit të këshilltarëve të majtë nga mbledhja e parë që pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, Komisioni Europian ka dhënë qëndrimin e tij. E në fakt komentet, si gjithmonë në gjuhë diplomatike, i ka dhënë shefi i delegacionit të KE në Tiranë, ambasadori Ettore Sekui gjatë konferencës për shtyp, mbajtur sot në mbrëmje në Qendrën e informimit të KE.
“Ashtu siç e kam thënë dhe sot dhe më parë, procesi i integrimit duhet të shihet si objektiv kombëtar. Pavarësisht polemikave, është e qartë se procesi duhet të ecë përpara”, ishte përgjigja që Sekui i dha gazetares pas pyetjes për bojkotin që PS i bëri mbledhjes së Këshillit Bashkiak.
Fyle: Ngërçi politik pengoi integrimin
Përgjigja e shumëpritur nga Bashkimi Europian për Shqipërinë erdhi, por jo ashtu siç dëshironim. Bashkimi Europian nëpërmjet zërit të Stefan Fyle në konferencën për prezantimin e Progres- Raportit i tha Shqipërisë, duke shmangur fjalën "jo ", se edhe këtë herë e ka humbur shansin për të marrë statusin e vendit kandidat për integrimin drejt Bashkimit Europian. Ai theksoi se për Shqipërinë progresi është penguar nga ngërçi politik ndonëse kohët e fundit partitë politike kanë dhënë shenja për të filluar dialogun. Në vijim ai theksoi se do ndihmohen partitë politike që të bashkëpunojnë për të kaluar mosbesimet dhe për të gjetur një themel për bashkëpunimin me qeverinë. Ndër të tjera ai këshilloi opozitën që për të plotësuar kushtet, të përfshihet në proces dhe të jetë konstruktive në bashkëpunim me maxhorancën.
Është koha për Shqipërinë
Ka ardhur koha që Shqipëria të shpalosë plotësisht potencialin e saj Ka ardhur koha që Shqipëria të vazhdojë të ndërtojë më tej në arritjet e saj dhe të shpalosë potencialin, i cili deri tani ka mbetur në hije nga retorikat negative dhe konfliktet. Unë kam besim se Shqipëria ka kapacitetet e nevojshme dhe mundësitë për të arritur standarte të larta të cilat nevojiten për negociatat e anëtarësimit, thuhet ne editorialian e z.Fule që e gjeni këtu.
Raporti i Progresit në duart e politikës Pas deklaratës zyrtare nga komisioneri Stefan Fyle, ambasadori i BE, Etore Sekui çoi personalisht raportin në selinë qeveritare, nga ku kryeministri Sali Berisha menjëherë dha një prononcim për shtyp rreth dokumentit nga Brukseli. Kreu i Qeverisë tha se nuk e ka lexuar raportin, por garantoi se dokumentin do ta kthejë në plan dite pune. “Traditë fatkeqe që problemet që shohim i shohim tek të tjerët jo tek vetja. Unë u them shqiptarëve se problemet janë tek vetja jonë, se nuk ekziston asnjë vend tjetër ku nuk votohen kërkesat e BE, por në Shqipëri nuk votohen”, tha kryeministri. Pak orë më vonë, ambasadori mbërriti në presidencë ku dokumenti zyrtar i BE-së mbërriti në tryezën kryetarit të shtetit. “Ne do ta lexojmë Raportin e Përparimit me kujdes e me shumë vëmendje duke qenë të vendosur të ecim përpara në këtë rrugëtim integrues”, - theksoi Presidenti i Republikës, - “por do të vazhdojmë t’i inkurajojmë e t’i nxisim aktorët politikë që të adoptojnë një sjellje të vërtetë evropiane. Këta aktorë kryesorë politikë duhet të gjejnë rrugën e komunikimit normal politik dhe dialogut të duhur institucional, që mungon prej kohësh duke u bërë edhe arsyeja kryesore për mosarritjen e objektivit të marrjes së një vlerësimi pozitiv nga Bashkimi Evropian”. Raportin e progresit e morën sot pasdite edhe kryediplomati Haxhinasto por edhe kreu i opozitës Edi Rama, ndërkohë që nesër, ambasadori Sekui do të takojë kryeparlamentaren Topalli dhe aktorë të tjerë politikë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka rinënvizuar vullnetin e opozitës shqiptare për të ushtruar përgjegjësinë që i takon në jetësimin e axhendës shtetndërtuese dhe europianizuese të Shqipërisë. BE i thotë “jo” Shqipërisë në BE Pak pasi u dorëzoi dokumentin Presidences, Kryeministrisë dhe selisë së PS, Sequi sugjeroi se progres-raporti i dorëzuar sot Tiranës zyrtare duhet te jetë rruga udhëheqëse drejt integrimit, ndërsa kërkoi që ky proces të shihet si objektiv kombëtar. “Pse nuk u pranua Shqipëria. Ngërçi politik ka ngadalësuar proceset. Viti i kaluar ka shënuar mungesë të dialogut politik konstruktiv në kuvend”, tha Sequi duke shtuar se pavarësisht përgjigjes negative, Komisioni Europian mbetet tepër i angazhuar për perspektivën Europiane të Shqipërisë. “Por, janë kushtet dhe këto kushte janë të njëjta për të gjitha vendet që aspirojnë në BE. Reformat që kanë të bëjnë me 12 prioritetet janë me rëndësi”. Sequi vuri në dukje se Shqipëria i ka kapacitetet për të plotësuar standardet për marrjen e statusit të vendit kandidat, por nevojitet bashkëpunim konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës. Ambasadori kërkoi që progres-raporti të shihet si element bashkues dhe jo ndarës. Shpresa për pranverën: Mund t’ia dilni Por, Shqipëria ka një shans brenda pranverës për të marrë statusin e kandidatit, nëse forcat politike bashkëpunojnë për zbatimin e 12 rekomandimeve dhe reformës elektorale. Këtë e thanë sot pasdite për mediat shqiptare zyrtarë të lartë evropianë. “Nëse ne shohim se ka vullnet politik të mjaftueshëm dhe se situata evoluon drejt zbatimit të 12 prioriteteve, komisioneri Füle qartësisht nuk e përjashtoi që t'i drejtohet Këshillit të ministrave të BE-së më herët për Shqipërinë. Ajo që është e rëndësishme tani është fokusimi te puna që mbetet për të bërë. Secili në Shqipëri, forcat politike dhe më gjerë duhet të kenë të qartë përmbushjen e 12 prioriteteve , zbatimin e tyre dhe më pas shansi për Shqipërinë që të ecë përpara bëhet një realitet”, tha Stefano Sanino, drejtori i përgjithshëm për Zgjerimin në KE. Ndërsa, për Hannes Swobodën, kreun e Grupit Socialist në Parlamentin Evropian: “Janë mundësitë për të pasur një raport pozitiv, nëse është e qartë se të dyja partitë do të bashkëpunojnë dhe të bëjnë një hap të madh përpara. Është humbur kohë dhe tani është momenti, që të dyja partitë kryesore të arrijnë një marrëveshje të tillë për të marrë një përgjigje pozitive nga BE-ja”.
Refuzimi nga BE, qëndrimi i kreut të PS
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sonte se ai u njoh me Progres Raportin e Komisionit Europian për vendin tonë publikuar sot sëbashku me Strategjinë e Zgjerimit. Rama deklaroi se e konsideron Progres Raportin si një instrument të rëndësishëm për demokratizimin e shoqërisë dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Kryetari Rama falenderon shërbimet e Komisionit Europian për analizën e kthjellët në këtë Raport, që është një vazhdimësi e detyrave të lëna për vendin tonë nga Opinioni i vitit të kaluar. Si drejtues i opozitës Edi Rama përfiton nga rasti për të rinënvizuar vullnetin e opozitës shqiptare për të ushtruar përgjegjësinë që i takon në jetësimin e axhendës shtetndërtuese dhe europianizuese të Shqipërisë. a.q/NOA