English

Progres-raporti i KE: Progres i kufizuar

Vitin e shkuar në opinionin e tij për Shqipërinë, Bashkimi Evropian përcaktoi 12 objektiva kyçe të cilat vendi duhet të përmbushte në mënyrë që atij t’i hapej rruga për të hedhur një hap të ri në marrëdhëniet me Brukselin dhe të merrte statusin e vendit kandidat. Zhvillimet e përgjithshme në vend, nën dritën e realizimit të këtyre objektivave, janë në qendër të raportit të progresit të hartuar për Shqipërinë, një kopje të të cilit e ka publikuar sot Zëri i Amerikës. Vlerësimi i përgjithshëm është ai i “një përparimi të kufizuar të vendit”. Raporti, i cili pritet të bëhet publik sot pasdite, nis me zbatimin e kritereve politike, ku një vend i vecantë i lihet zgjedhjeve të 8 majit për pushtetin vendor. Në raport shkruhet se “në përgjithësi, megjithë një numër aspektesh pozitive, si konkurenca e procesit, përgatitjet teknike transparente, zhvillimi përgjthësisht i mirë në ditën e votimit, një proces pozitiv numërimi, një mbulim pluralist nga mediat, zgjedhjet, të cilat janë përcaktuar si një prioritet kyç në opinion, arritën pjesërisht standartet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”. Përsa i përket vlerësimeve mbi Parlamentin dhe situatën politike, raporti vlerëson se “megjithëse ka disa përmirësime në praktikat dhe rregullat parlamentare, si dhe një rritjeje të kapaciteteve administrative, aktiviteti i parlamentit në funksionet legjislative dhe të kontrollit, i cili është një nga prioritetet kycç në opinion, mbetet i pamjaftueshëm”. Në raport vërehet se “ngërçi politik, ngjarjet e 21 janarit dhe kundërshtitë për zgjedhjet në Tiranë, kanë penguar si punën e parlamentit ashtu dhe dialogun politik të nevojshëm dhe konstruktiv. Reforma zgjedhore, “si një prioritet kyç ka ngecur në vend” thuhet në raport, ndërsa vërehet se “parlamenti nuk siguroi seanca dëgjimore dhe votim të rregullt në emërimet e anëtarëve të gjykatës kushtetuese dhe asaj të lartë, e cila gjithashtu përbën një tjetër prioritet kyç”, vlerësohet në raport. Përsa i përket qeverisjes vlerësohen “përpjekjet e konsiderueshme të bëra si nga ekzekutivi ashtu dhe nga komisioni parlamentar i integrimit lidhur me reformat e kërkuara në procesin e integrimit. Cilësia e projektligjeve dhe diskutimet me palët e interesuara kërkojnë përmirësime të mëtejshme”, vëren raporti. Reforma të pakompletuara për administratën publike, përparim i kufizuar në reformën gjyqësore, zbatim i pamjaftueshëm i masave antikorrupsion dhe cilësimi se ky fenomen “mbetet një problem veçanërisht serioz”, janë disa nga vlerësimet në kapitullin e kritereve politike. Në këtë kontekst, komisioneri Fyle pritet të deklarojë se “megjithë përparimin në disa prej fushave, Komisioni nuk është në gjendje të rekomandojë hapa të mëtejshmë për Shqipërinë këtë vit”. Më tej, “mbështetur në sinjalet e fundit pozitive, Komisioni inkurajon forcat politike në Shqipëri të rivendosin dhe mbajnë një nivel dialogu politik që të bëjë të mundur funksionimin e institucioneve kryesore demokratike dhe vënien në jetë të reformave thelbësore”.

KOMENTE