Tiranë, 12 tetor 2011, NOA- Gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë u vendos që 227 ish të dënuar të regjimit komunist të marrin dëmshpërblim financiar. Propozimi i ardhur nga ministri i Drejtësisë bëri që Këshilli i Ministrave të miratoj vendimin për dëmshpërblimin financiar për ish të përndjekurit politikë të regjimit komunist. Vendimi përcakton masat e dëmshpërblimit për 227 ish të dënuar politikë, kërkesat e të cilëve kanë përmbushur kriteret ligjore dhe të cilët kanë vuajtur dënimin e kryer në burg nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, si dhe familjarët e të dënuarve me dënim kapital (të pushkatuar apo të ekzekutuar). Shuma e masave të dëmshpërblimit financiar, e përllogaritur sipas këtij vendimi, është në total 827 363 566 lekë. Ky është vendimi i 20-të, në vijimësinë e vendimeve të mëparshme të qeverisë për dëmshpërblimin financiar të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist. a.y/NOA