English

80-vjetori i ditëlindjes së poetit të madh, Basha uron Dritëroin

Tiranë, 13 tetor 2011, NOA – Poeti dhe mendimtari i madh i letrave shqipe Dritëro Agolli mbushi sot 80-vjeç. Në këtë përvjetor të shënuar, Dritëroi siç e njohin të gjithë në fushën e letrave u vizitua këtë mëngjes në shtëpinë e tij nga Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, i cili i uroi shkrimtarit ditëlindjen. Kryebashkiaku Basha e vlerësoi poetin dhe shkrimtarin për rolin në letrat shqipe dhe në sferën publike në përgjithësi. Kryebashkiaku u shpreh se “Dritëroi është një nga autorët e mëdhenj të letërsisë shqiptare dhe një figurë e dashur publike, me vizion të kthjellët, të qëndrueshëm dhe të pandikuar nga interesat e çastit”. Shkrimtari Agolli i vlerësoi urimet dhe praninë e kryebashkiakut në shtëpinë e tij, duke e përgëzuar për punën e tij në ditët e para në krye të Bashkisë. Dritëroi shprehu besimin e tij tek angazhimi i brezit të ri në politikë dhe në marrjen e përgjegjësive. Shkrimtari i njohur, nënshkroi tre nga librat e tij me një dedikim të veçantë për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Ndërsa kryebashkiaku sikurse duket edhe nga fotot i dhuroi një buqetë me lule të freskëta e shumëngjyrëshe poetit të madh. Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli është nderuar me titullin e madh “Nderi i Kombit” për veprat e tij dhe filozofinë e pasur të poezisë dhe prozës së tij. Për filozofinë e tij krijuese, thjeshtësinë e komunikimit, frazeologjinë e pasur popullore e mesazhet universale të veprës Dritëroi është cilësuar nga shumë autorë e kritikë si Homeri i gjallë i letrave shqipe. mit/NOA

Në fotot: Kryebashkiaku Lulzim Basha, shkrimtari Dritëro Agolli, bashkëshortja e Dritëroit, Sadie Agolli

KOMENTE