Qeveria e Republikës së Kosovës ka institucionalizuar garantimin ligjor me atë praktik të gjuhëve Nga Hashim Thaçi Që nga krijimi i shtetit të Kosoves, Filozofia e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në promovimin dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve është bazuar në dy shtylla.
- Së pari, të drejtën për jo-diskriminim në gëzimin e të gjitha të drejtave dhe lirive të njeriut; - Dhe së dyti, të drejtën për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit përmes lirisë për të praktikuar dhe shfrytëzuar ato aspekte të veçanta dhe të patjetërsueshme të jetës së tyre si komunitete, me theks të veçantë kulturën, fenë dhe gjuhën.
Mbi këto baza Qeveria e Kosovës ka bërë arritje te dukshme në garantimin ligjor të drejtave të komuniteteve, për çka mund të them pa hezitim se jemi model për vendet e rajonit dhe më gjerë.
Këto të drejta janë të garantuara me dokumentin më të lartë juridik, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Një mori ligjesh për të drejtat e komuniteteve janë aktualisht në fuqi, me specifik mbi dhjetë ligje ku secili prej tyre garanton në fushën e vet të drejtën e komuniteteve në Kosovë e në tërsi rregullojnë sistemin e përgjithshëm të bashkëjetesës ndër etnike në Kosovë.
Të drejtat e komuniteteve përfshijnë spektër më te gjerë se sa garantimi i tyre politik.
Çdo komunitet është i lidhur me një gjuhë të veçantë që e karakterizon komunitetin, prandaj edhe garantimi i të drejtave të komuniteteve nënkupton përveç tjerash garantimin e gjuhës së tyre.
Prandaj,edhe promovimi i të drejtave të komuniteteve, karshi filozofisë sonë, ndër tjera është bërë i mundur në kuadër të garantimit të drejtave të tyre gjuhësore.
Standardet e garantimit të aplikimit të gjuhëve të komuniteteve në Kosovë janë në përputhje të plotë të të gjitha konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit evropian, ku komunitetet me përqindje modeste në popullsi kanë të drejtën e aplikimit të gjuhës së tyre në nivel qendror e lokal.
Siç edhe paraqitet në këtë studim, arsyeja e mbrojtjes së të drejtave gjuhësore lidhet me parimin e mos-diskriminimit, nëpërmjet garantimit të aplikimit të gjuhëve të komuniteteve, ruajtjen e identitetit etnik, kulturor dhe fetar, dhe mundësinë e qasjes në shërbime shtetërore.
Edhe pse këto tri elemente nuk paraqesin të gjithë spektrin e qëllimeve të përdorimit të gjuhëve, por janë bazë kritike e garantimit dhe avancimit të të drejtave të komuniteteve.
Për këtë arsye edhe legjislacioni në Kosovë ka bërë të mundur garantimit e përdorimit të gjuhëve dhe si rezultat pjesëmarrjen më të gjerë të komuniteteve në jetën sociale dhe institucionale të Kosovës.
Sot në Kosovë në dokumentet juridike të saja, nga Plani i Presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës, Kushtetuta e Kosovës dhe një mori ligjesh garantojnë të drejtat e komuniteteve dhe përdorimin e gjuhëve të tyre.
Përveç në rrafshin ligjor, Qeveria e Republikës së Kosovës ka institucionalizuar garantimin ligjor me atë praktik të gjuhëve. Sigurimi që qytetarët të kenë mundësi të komunikojnë drejtpërdrejt me autoritetet qendrore dhe lokale në cilëndo gjuhë zyrtare është kërkesë thelbësore për t’u mundësuar atyre qasje të papenguar në shërbimet publike.
Prandaj, të gjitha shërbimet dhe dokumentet publike që ofrohen nga institucionet qendrore duhet të dorëzohen në të dyja gjuhët zyrtare.
Nga Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë ligjvënës, në mbledhjet e komisioneve dhe transkriptet e seancave të Kuvendit, mbledhjet e qeverisë etj., e deri tek komunat më të vogla, e kanë të garantuar te drejtën e përdorimit te gjuhëve, dhe siç me të drejt paraqet publikimi - këtë të drejtë e kanë në funksion të tyre.
Për të drejtën e përdorimit të gjuhëve zyrtare dhe të komuniteteve dhe praktikimin e saj institucionet mbajnë përgjegjësinë e plotë.
Siç edhe thekson studimi, garantimi ligjor mund të jetë sfidues nëse për zbatimin e tij nuk punojnë si udhëheqësit dhe vetë punëtorët e institucioneve në njërën anë, dhe vetë pjesëtarët e komuniteteve në anën tjetër.
Një bashkëveprim i këtyre dy grupeve do të ngritë në një piedestal më të lartë zbatimin e legjislacionit dhe praktikimin e gjuhëve te të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Të gjithë qytetarëve të Kosovës mund t’u them me këtë rast që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të patjetërsueshme dhe të jenë të vetëdijshëm se praktikimi është vlerë, njohja e gjuhëve të fqinjëve është vlerë, prandaj zbatojeni në përditëshmerinë e juaj institucionale, ose më e pakta që mund të bëni është të zbatoni ligjin. * Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë e promovimit të studimit “Politikat e gjuhëve në Kosovë”, organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve e Zyrës së Kryeministrit