Në përkujtimoret për Steve Jobs, bashkëthemeluesit të Apple, ai u krahasua me shpikësit-sipërmarrës më të mëdhenj botërorë: Thomas Edison, Henry Ford, Alexander Graham Bell. Megjithatë, asnjë prej obituarvëve nuk përmendte njeriun të cilin vetë Steve Jobs konsideronte hero, njeriun sipas karrierës së të cilit ai modeloi të vetën: Edwin H. Land, gjeniun e Polaroid-it dhe shpikësin e fotografisë së çastit
Nga Christopher Bonanos
Land në kohën e vet ishte po aq publik sa edhe Jobs në të tijën. Në vitin 1972 ai kapi kopertinat e revistave Time dhe Life, ndoshta i vetmi kimist që ia ka arritur kësaj. Dhe sa më shumë mëson për Land-in aq më shumë kupton sa afërisht Jobs e ndiqte atë. Të dy ndërtuan korporata miliarda dollarëshe, bazuar mbi shpikje të cilat kufizoheshin nga rregullat strikte të patentave. Të dy ishin autodidaktë, kishin braktisur universitetin (Land, Harvard-in; ndërsa Jobs, Reed), por arritën t’i kompensojnë shumëfish mungesat në arsimim duke kultivuar shije pafundësisht elegante. Kur Land drejtonte Polaroid merrte në punë më të zgjuarit e fakultetit të historisë së Artit në Smith College dhe më pas i fuste në kurse shkencore, duke krijuar kështu kimistë që mund të bisedonin me të kur ai kalonte sa nga citimet e Maxwell-it te penelatat e Renoir-it.
Mbi të gjitha, Land besonte në fuqinë e demonstrimit shkencor. Duke filluar nga vitet ’60, ai filloi t’i kthente takimet e aksionerëve të Polaroid në shfaqje dramatike që kishin në qendër çfarëdo linje të re që kompania ishte gati të prezantonte në treg. Në një mjedis artistik deri në perfeksion, nganjëherë edhe me muzikë live ndërmjet segmenteve, ai ngjitej në skenë me projeksione pas vetes, prodhimin e ri në dorë dhe në vend të teknikave klishe të marketingut e shitjes të tërhiqte në Land’s World. Kur pasditja bëhej gati të fikej, ti ndoshta as që doje të largoheshe prej aty.
Tri dekada më vonë Jobs do të bënte saktësisht të njëjtën gjë; shto këtu një golf të zi dhe xhinset. Admirimi i tij për Land-in ishte i hapur. Në vitin 1985 ai i tha një gazetari: “Land është një thesar kombëtar. Nuk e kuptoj se pse njerëz si ai nuk mund të mbahen si modele: kjo është gjëja më e mrekullueshme që mund të jesh-jo një astronaut, jo një lojtar futbolli-por kjo.”
Pikëpamja e tij mbi botën ishte jehonë e asaj të Land-it: “studim tregu është ajo që bën kur prodhimi yt nuk vlen”. Dhe sa i takon inovacioneve: “çdo shpikje duhet të jetë tronditëse, e papritur dhe duhet të bëhet pjesë e një bote që nuk është përgatitur për të. Nëse bota është gati për të, as që do të quhej shpikje”, tha njëherë Land. Tridhjetë vjet më vonë, kur një gazetar e pyeti Jobs-in se sa studime tregu kishte bërë Apple para se të paraqiste iPad-in, ai u përgjigj: “Asnjë. Nuk është puna e konsumatorëve të dinë se çfarë duan”.
Land ashtu si dhe Jobs ishte një perfeksionist estetik, obsesiv në kulm rreth dizajnit të një produkti. Shumat që shpenzonte ai në kërkim e zhvillim, në gdhendje të të metave, nganjëherë i shkurajonin analistët e Wall Street për të blerë aksionet e Polaroid-it; ata mendonin se kompania nuk i kushtonte mjaftueshëm rëndësi fitimeve. Kur një prej aksionerëve të kompanisë ia solli në majë të hundës me idenë “fitimet, fitimet”, Land iu përgjigj: “fitimet merren në parajsë”.