Tiranë, 13 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Rebelimi i doganierëve grekë ndaj politikave shtrënguese të qeverisë së tyre rëndon sërish mbi emigrantët shqiptarë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së shtetit rezulton që ditën e premte, datë 14.10.2011, për shkak të një greve të punonjësve të Doganës Greke, në Pikat e Kalimit Kufitar me shtetin grek nuk do të lejohet kalimi i automjeteve, por vetëm i udhëtarëve. “Për sa më sipër, lusim qytetarët që të marrin masat e nevojshme, pasi në të gjitha pikat e kalimit me Greqinë do të bëhet vetëm përpunimi i personave. Për çdo informacion të mëtejshëm lidhur me ndërprerjen e kësaj greve do t'ju informojmë në vazhdimësi”, thuhet në deklaratën për shtyp të policisë së shtetit. Bllokimi i pikave kufitare greke po bëhet për të disatën herë, duke bërë që emigrantët që lëvizin drejt Greqisë të lënë në tokën shqiptare automjetet e tyre. a.q/NOA