English

Ndërkombëtarët në bllok: Bashkëpunoni të mos humbni shansin tjetër

Tiranë, 13 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- I gjithë faktori ndërkombëtar pas publikimit të Progres Raportit ditën e djeshme në mënyrë unanime i bënë një thirrje politikës shqiptare: “Bashkëpunoni që të mos humbni shansin tjetër”. Që nga kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë Ettore Sequi, tek ambasadori amerikan Alexander Arvizu, Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore Eduard Kukan dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier i thanë sot Shqipërisë se ndërkombëtarët e kanë dhënë dhe po e japin ndihmën e tyre por Shqipëria duhet të hyjë vetë në Bashkimin Europian në sajë të punës së bërë duke e konsideruar Raport- Progresin si një mundёsi pёr tё nxitur dialogun politik. Sipas tyre bashkëpunimi mes faktorëve politikë duhet të bëhet në mënyrë që shansi tjetër në Tetor të 2012-ës të mos humbasë.

Sequi: Të gatshëm të punojmë për integrimin

Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë Ettore Seqi gjatë takimit që pati me Kryeparlamentaren Jozefina Topalli të cilës i dorëzoi Raport- Progresin për vendin tonë tha se, “Integrimi është dhe duhet të jetë një objektiv mbarëkombëtar. Ne mbetemi të gatshëm, të punojmë së bashku për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit evropian”.

Zannier: Raport- Progresi: Mundësi për të nxitur dialogun

Nga ana e tij Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier gjatë një takimi që zhvilloi me Zëvendës Kryeministrin njëherësh Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto u shpreh se Raporti i Progresit duhet të konsiderohet si një mundësi për të nxitur dialogun politik rreth çështjeve që parashtrohen aty duke ripërsëritur gatishmërinë e OSBE për të mbështetur procesin e reformës zgjedhore në Shqipëri. Ndërkaq Haxhinasto dhe Zannier shprehën angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Shqipërinë.

Arvizu: Duhet rikuperuar koha e humbur

Në një intervistë për ABC News në Bruksel, ambasadori amerikan Alexander Arvizu duke folur mbi Progres Raportin, ka thënë, se tashmë vendi nuk ka rrugë tjetër, përveçse ta konsiderojë momentin aktual si oportunitet për të ecur përpara me axhendën europiane dhe se sinjalet për reformën elektorale janë inkurajuese.

Fjala e ambasadorit Alexander Arvizu: Në punën time duhet të jesh optimist dhe realist për t’ia dalë mbanë. Më pëlqeu ajo që tha ambasadori Sequi dje për Progres Raportin, që të dyja palët duhet ta shohin këtë si oportunitet për të ecur përpara me axhendën europiane. Fillimisht do të ndodhë ajo që ne e quajmë “loja e fajit” ku secili ia hedh fajin njëri tjetrit. Ndoshta do ketë cikle të reja të saj. Por pas kësaj, të dyja palët duhet të shohin, se ka një oportunitet. Unë dua ta besoj këtë, pasi mendoj, se vendi nuk ka zgjidhje tjetër. Javën e kaluar ne festuam 20 vjetorin e hapjes së ambasadës amerikane. Njerëzit më dëgjuan të thosha, se nuk vend tjetër në Europë që ka ecur kaq në 20 vjet sesa Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për arritjet e tyre. Shqipëria sot është e pakrahasueshme me Shqipërinë e 1991-1992. Por me bisedimet që kam patur me kolegë të mi në një konferencë në Bruksel dhe në Ljubjanë, është evidente që asnjë vend nuk qëndron në vend, secili vend shkon përpara. Procesi i zhvillimit ekonomik është një proces dinamik. Le të jemi të sinqertë. Për dy vjet, situata në Shqipëri jo vetëm ka qenë në stanjacion, por ka bërë regres. Janë dy vite të humbura. Kështu që duhet rikuperuar koha e humbur. I shoh si inkurajuese sinjalet që vijnë për reformën elektorale për të angazhuar edhe ekspertizën e Komisionit të Venecias, ekspertizë që është e mirënjohur dhe që do të sjellë një mbështetje ndryshimet që nevojiten në kodin elektoral.

Kukan: Dyert e BE janë hapur, por Shqipëria duhet të hyjë vetë

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore Eduard Kukan, lidhur me Progres- Raportin e publikuar dje shprehet se Shqipëria humbi edhe një vit tjetër. Sipas tij drejtuesit politikë të Shqipërisë nuk janë të përfshirë në dialogun politik, përmes të cilit do të gjendeshin zgjidhje për t'i dhënë fund krizës dhe stanjacionit të gjatë politik. Ndërsa Progres Raporti i ardhshëm do të jetë në Tetor 2012, Shqipëria humbi edhe një tjetër vit, shprehet për Deutsche Welle-n Eduard Kukan.

Fjala e Eduard Kukan: Drejtuesit politikë të Shqipërisë nuk janë të përfshirë në dialogun politik, përmes të cilit do të gjendeshin zgjidhje për t'i dhënë fund krizës dhe stanjacionit të gjatë politik. Kjo mungesë dialogu është arsyeja kryesore që Shqipëria nuk po shënon progres. Në të njëjtin konkluzion ka arritur edhe KE, në raportin e tij, të publikuar dje, më 12.10.2011. Se çfarë qëndron pas këtij qëndrimi kokëfortë të dy partive kryesore, nuk mund ta di. Ajo që di është, që partia qeverisëse ka ofruar shumë propozime të cilat janë refuzuar nga partia opozitare dhe po kështu ka bërë së fundmi edhe kreu i opozitës, Edi Rama, por ende nuk ka një dialog politik mes tyte. Ndofta kjo situatë është pasojë e kulturës politike në Shqipëri. Kjo kulturë duhet të eci drejt kulturës politike europiane, e cila u jep zgjidhje pikëpamjeve të ndryshme dhe mosmarrëveshjeve mes forcave politike përmes dialogut dhe kompromisit. Kjo është e vetmja rrugë, në mënyrë absolute, nuk ka rrugë tjetër. Pra, është e nevojshme që Shqipëria të përqafojë kulturën politike, që kanë të gjitha vendet anëtare të BE, të përqafojë mënyrën europiane për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve sepse kjo është në interes të vendit. Mendoj që momenti i kthesës do të vijë vetëm kur ata të kuptojnë përgjegjësinë e madhe që kanë ndaj popullit dhe Shqipërisë. Kjo është vërtet një përgjegjësi e madhe. Nëse ata duan që ta çojnë popullin dhe vendin drejt anëtarësimit në BE për të siguruar një jetë më të mirë, atëherë duhet të realizojnë në mënyrë reale dialogun politik. Pika e kthesës do të jetë të kuptuarit, ndërgjegjësimi i tyre se pa dialog nuk mund të shkohet përpara. Dhe kjo nuk është e ndershme në raport me popullin shqiptar. Progres raporti i ardhshëm do të jetë në Tetor 2012. Natyrisht Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian po ndjekin nga shumë afër skenën politike të Shqipërisë. Por vendimi për statusin e vendit kandidat do të vijë pas 12 muajsh. Shqipëria humbi edhe një vit tjetër Institucionet Europiane nuk mund të fajësohen për situatën në Shqipëri. Institucionet europiane nuk mund të firmosin marrëveshjen për kompromis politik mes dy partive më të forta. Janë vetë këto dy parti, vetë politikanët e tyre, që duhet të arrijnë këtë marrëveshje. Institucionet europiane nuk mund t'i zëvendësojnë ata. Kjo është përgjegjësia e tyre. Mendoj që institucionet europiane kanë treguar vullnetin e tyre për të ndihmuar politikanët e Shqipërisë të gjejnë zgjidhje për ndryshimet, diferencat në pikëpamjet e tyre politike dhe për të filluar të bëjnë hapa pozitivë dhe progresivë në procesin e integrimit europian. Dera për të hyrë në BE për Shqipërinë është e hapur. Në atë derë Shqipëria duhet të futet vetë, ajo duhet të ketë përgjegjësinë për ta bërë këtë. Dhe këtë duhet ta tregojë në mënyrë të qartë, të dallueshme. Dhe të tregojë se në situatën politike në Shqipëri ka një ndryshim të qëndrueshëm, se ka një dialog vërtet të sinqertë, se po arrihet kompromisi përmes negociatave. Vetëm atëherë Shqipëria do të duket e besueshme dhe e pranueshme nga institucionet europiane. a.y/NOA

KOMENTE