English

Parashikimi i motit për 14 tetor 2011

Tiranë, 13 tetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, një sistem i fuqishëm vranësirash do të vendoset në territorin shqiptar duke gjeneruar shira si fillim në zonat bregdetare e më pas duke u shtrirë në të gjithë vendin. Mesdita do të sjellë shtim të intensitetit të shirave në të gjithë vendin, herë pas here shirat do të bien në formë rrebeshi. Në pjesën e dytë të ditës do të ketë shtim të intensitetit të shirave sidomos në jug dhe jugperëndim të vendit ku rrebeshet e shiut do të shoqërohen me stuhi të forta ere në brigjet e Jonit. Po ashtu edhe pjesa tjetër e vendit do të jetë me vranësira dhe shira me intensitet të lartë. Në majat e maleve do të ketë reshje dëbore dhe temperaturat do të bien ndjeshëm. Vranësirat dhe reshjet do të mbeten prezent edhe gjatë natës. Për sa i përket situatës termike, Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme në vlerat e mesditës kjo për shkak të reshjeve gjatë gjithë ditës. Era do të fryjë mesatare dhe e fortë me shpejtësi 55 km/h dhe drejtim jugperëndimor, ndërsa dallgëzimi në Adriatik dhe Jon do të jetë 4 ballë. Europa Nesër, Europa veriore, verilindore dhe ishujt Britanike do të dominohen nga kushte të paqëndrueshme atmosferike pasi vranësirat dhe reshjet e shiut dhe dëborës do të jenë dominuese por intensiteti i tyre do të jetë i dobët. Sërish në vendet e lindjes do të ketë reshje dëbore si edhe rënie të ndjeshme të temperaturave. Ndërsa me vranësira dhe reshje të konsiderueshme shiu e dëbore do të jetë pellgu i Mesdheut dhe gadishulli i Ballkanit situatë kjo për shkak të vendosjes së një qendre me presion të ulët atmosferik mbi Siçili si edhe kalimit të një fronti të ftohtë atmosferik mes përmes Ballkanit. Zona e Alpeve do të ketë reshje të dendura dëbore Ndërsa e gjithë pjesa tjetër e Mesdheut do të ketë shira të dendur dhe stuhi të forta ere sidomos në kanalin e Otrantos era do të jetë e fuqishme ndërsa e gjithë pjesa tjetër e Europës do të jetë me kthjellime.

Ngjarje ekstreme në Europë: - Italia alarmon shira intensive dhe stuhi të forta ere - Zona e Alpeve do të ketë reshje dëbore dhe temperatura të ulëta - Rusia rrezikon shira të konsiderueshëm dhe dëborë të pakët a.y/NOA

KOMENTE