English

Refuzimi i statusit. Priten debate në Kuvend për ligjet me 3/5

Tiranë, 13 tetor 2011, NOA/Irma Toptani – Një ditë pasi Komisioni Europian refuzoi të nisë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE duke mos rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat, mazhoranca dhe opozita pritet ta kthejnë sot kuvendin në një ring debati politik ku nuk do të mungojnë akuzat e ndërsjella për këtë refuzim politik të BE-së. Ky debat pritet të jetë i ethshëm duke qenë se në rend të ditës të seancës së sotme plenare të Kuvendit janë rikthyer për miratim shtatë ligje që kërkojnë 84 vota deputetësh pra shumicë të cilësuar prej 3/5-ve të Kuvendit. Që këto projektligje të vihen në jetë duhet të bashkohen votat e mazhorancës dhe opozitës. Por si do të ndodhë kjo, kur panorama politike në vend shënon në krye të listës së mosarritjeve, mosfunksionimin e parlamentarizmit e diskutimit të frytshëm e konstruktiv në Kuvendin e Shqipërisë që do të ndikonte në arritjen e konsensusit mes palëve për miratimin e ligjeve me 3/5 që përbëjnë reformat integruese të vendit si disa nga rekomandimet kyç të KE-së. Mosfunksionimi i parlamentit ka ardhur si rezultat i ngërçit politik mes mazhorancës dhe opozitës për shkak të kundërshtive mes tyre. Megjithatë provën për atë që KE kërkon, pra nisjen e dialogut politik për përmbushjen e reformave do të mund ta shohim edhe sot kur në Kuvend do të diskutohen dhe hidhen për miratim projektligjet e rëndësishëm “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative” i njohur si ligji për gjykatën Administrative; dhe gjashtë projektligje me ndryshime për Kodin Penal, me katër nisma legjislative; Kodin Rrugor, me tre nisma legjislative; Kodin Hekurudhor; Kodin Detar, me dy nisma legjislative si dhe Kodin Ajror të Shqipërisë. Gjatë raportimit në Komisionin e jashtëm të PE-së, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle deklaroi se do të kishte dashur më shumë progres nga Shqipëria. Ai përmendi 12 rekomandimet kyç të lëna si detyrë për Shqipërinë, prioritete që nuk u përmbushën pikërisht prej ngërçit politik dhe bojkotit parlamentar. Në këtë suazë, duke lënë po të njëjtat rekomandime për Shqipërinë, Fyle i bëri thirrje liderëve politikë në Tiranë të nisin urgjentisht dialogun dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për reformat në vend, që të mos ndalin progresin e Shqipërisë drejt BE-së. Në progres-raportin për Shqipërinë, komisioneri për Zgjerimin duke evidentuar sinjalet pozitive për nisjen e dialogut politik, bëri të qartë se për zgjidhjen e ngërçit politik lipset që qeveria Berisha të sigurojë kushtet që dialogu të jetë gjithëpërfshirës. Ai e këshilloi opozitën që nga ana e saj të jetë konstruktive me synimin që Shqipëria të realizojë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të përmbushë 12 prioritetet kyç të vëna detyrë nga BE për klasën politike. Gjatë seancës së sotme të Kuvendit që pritet të nisë në orën 10.00 janë në rend të ditës fillimisht miratimi i procesverbalit të seancës plenare; miratimi i programit të punës për periudhën 17 tetor - 25 nëntor; miratimi i kalendarit tre javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 17 tetor - 4 nëntor; si dhe miratimi i projektligjeve “Për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese”; projektligjit “Për profesionet e rregulluara”; si dhe një interpelancë me ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi e kërkuar nga deputeti socialist Erjon Braçe. Në fund të seancës sipas rregullores së Parlamentit do të jetë një minutash prej 60 minutash gjatë të cilit deputetët do të diskutojnë jashtë rendit të ditës. mit/NOA

KOMENTE