English

Rikthehen atentatet e bandave për kromin, tritol banesës së Duriçit

Bulqizë, 13 tetor 2011, NOA – Një tjetër shpërthim ka ndodhur mëngjesin e sotëm, këtë herë në Bulqizë, në shtëpinë e Adrian Duriçit, njërit prej të ndaluarve të përplasjes me armë në mes të Bulqizës mes dy grupeve rivale për kromin. Ngjarja e rëndë u regjistrua mëngjesin e të enjtes. Efektivë të komisariatit të Bulqizës informuan se një sasi tritoli e vendosur para shtëpisë së Duriçit shpërtheu duke shkaktuar dëme të shumta në banesë. Si pasojë e shpërthimit të tritolit nuk është lënduar asnjë nga personat e shtëpisë. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, e cila besohet se lidhet me përleshjen me armë zjarri mes dy grupeve rivale për kromin ku gjeti vdekjen një kalimtar i rastit, Femi Kurçani, dhe u plagosën tre të tjerë. Ngjarja ndodhi në 5 janar të këtij viti. Si rezultat i përplasjes në mes të qytetit Gjykata e Peshkopisë dënoi me burg disa prej autorëve të ngjarjes, Andrea Duriçin, Ndriçim Duriçin, Shpëtim Rrekën, Leonard Ndreun, Ilirian Jangullin e Destan Gjetën. Ndërkohë gjykata mori masën e sigurisë me arrest shtëpie për Adrian Duriçin e Vladimir Cërrojin. mit/NOA

KOMENTE