English

Sarandë, qëllon me automatik drejt makinës, largohet autori

Sarandë, 13 tetor 2011, NOA – Një 28-vjeçar nga Fieri dhe banues në Sarandë qëllon mbi dy shtetas të tjerë me automatik pa mundur të lëndojë asnjërin prej shënjestrave të tij. Blutë e Sarandës bëjnë me dije se ngjarja ndodhi mbrëmjen e të mërkurës rreth orës 20:45 minuta në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Adem Shena” në lagjen Nr. 3 në Sarandë. Autori i ngjarjes që dyshohet të jetë Edjon Ali Muskaj goditi për motive të dobëta tri herë me automatik në drejtim të automjetit tip Mercedes-Benz me targa të huaja, ku ndodheshin 44-vjeçari Isuf Kadri Jaçe, lindur dhe banues në Sarandë në lagjen Nr. 3, i cili ishte drejtuesi i automjetit dhe 30-vjeçarin Arjan Qani Lushkaj, lindur në fshatin Çorush, Mallakastër dhe banues në lagjen Nr. 3 Sarandë. Njëri nga personat që ndodheshin në makinë, Isuf Jaçe është person me precedent penal. Policia tha se autori i ngjarjes Edjon Muskaj menjëherë pas të shtënave është larguar në drejtim të paditur me një automjet tip AUDI A4 ngjyrë gri. Policia gjeti në vendin e ngjarjes dy gëzhoja dhe fishekë. Edjon Ali Muskaj lindur në Fier dhe banues në lagjen Nr. 1 në Sarandë është shpallur në kërkim po punohet intensivisht për kapjen e tij. Muskaj është nën akuzë për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit si dhe prishje të qetësisë publike. mit/NOA

KOMENTE