English

Shënime për Ramiz Alinë e këtyre 20 vjetëve

Kam shkruar shpesh për Ramiz Alinë. Në këto ditë që ai na la, u jam kthyer shënimeve për të e desha t’i rifreskoja pak disa prej tyre… Nga Pëllumb Kulla

Aty nga fundi i vitit 1990, lexoja ato që shkruheshin gjatë natës nëpër muret e Kavajës e Tiranës dhe drithëroja nga brohorimat e turmave, që më në fund dukej se do kalonin pa u ndëshkuar edhe pse shfaqnin urrejtje për Hoxhën, duke e krahasuar atë me Hitlerin. E më pat shkuar disa here në mend gjyqi për krimet naziste që u zhvillua pas luftës, në Nyrenberg të Gjermanisë.

Isha i bindur se për diktaturën enveriane, për rrënimin shpirtëror të një populli të tërë, për prapambetjen e llahtarshme ekonomike, do të kishim edhe ne një Nyrenberg tonin. Dikush do të dilte para këtij gjyqi, të jepte llogari e të merrte ndëshkim.

Tani shoh ideologët dhe zbatuesit e zellshëm të nazizmit tonë tek dalin në Nyrenbergun mediatik. Jo në kinema “17 Nëntori”, as në atë të “Brigadave”, ku bëheshin më parë gjyqet me peshë politike, por në ca studio televizive dhe gjyqin ua bëjnë zakonisht ca gazetarë që të japin përshtypjen se kanë lindur të tërë më 21 shkurt 1991, një ditë pasi u zvarrit Shtatorja e Madhe.

Dalin shend e verë para kamerave, Ramiz Alia, byroistë të tjerë, ministra, gjykatës, hetues dhe deri gardianë burgjesh. Gazetarët fytyrë ëmbël, që i presin në rolin e përzier të avokatit, gjykatësit dhe prokurorit, duket që kanë vrapuar deri poshtë për t’u hapur dyert e veturave. Në vend të prangave ata kanë nxituar t’i çlirojnë të akuzuarit nga palltot e rënda dhe pasi i udhëheqin përballë kamerave, në vend të aktakuzave, u shtyjnë përpara mbi tavolinë, filxhanët avullues të ekspresëve.

Pastaj Ramizi me të tijtë rrëmbejnë penelat dhe bëjnë portretet e veta, në qetësi të plotë, pa bezditë e të vuajturve, pa dëshmitarë të përzishëm a të gjymtuar. Në stilin e tij paskomunist, delfini i Enver Hoxhës sqaron se shumë gënjeshtra të thëna në kohë, ka qenë i detyruar t’i jepte ashtu, pasiqë e tillë ishte koha dhe ai ish i merakosur se popullit do t’i bënte dëm e vërteta lakuriq. Dhe nuk na tregon, a ka ardhur koha tani, a jemi pjekur ne, që e vërteta e tij të mos na dëmtojë më.

---------Ca kohë më parë, lexova një intervistë të Hekuran Isait, përfaqësuesit më domethënës të acarit komunist, ministrit të burgjeve, të kampeve të internimit dhe shfarosjes, kryekreut të Sigurimit të Shtetit. Duke folur për internimet dhe zhvendosjet masive të qindramijë shqiptarëve të pafajshëm, gazetari e pyeste: “a mund të na thoni mendimin tuaj në lidhje me atë fenomen të çuditshëm… nëse kanë qenë internimet ashtu siç pretendohet nga mbarë opinioni”?

Nga një shtrim i tillë i pyetjes u binda që për Nyrenbergun e Isait paskesh qenë zgjedhur tamam njeriu i përshtatshëm! Aty Hekurani, në pikturim e sipër të Hekuranit, për versionin historik që parapëlqen të ketë, ka kënaqësinë të bëjë edhe shaka!

-Për cilat familje po flet, për ato që i kemi marrë… dhe i kemi sjellë në Myzeqe? Ata … tani janë bërë pronarë tokash dhe unë, në të vërtetë, kam pritur të më falënderojnë.

Qerrata ministër! Mjaft i prirur drejt humorit! Ish pikërisht ky Hekuran, që Gani Kodra, oficer i lartë i Ministrisë së Brendshme, ka shkruar se ndodhej gjithmonë i pranishëm në torturimin e Kadri Azbiut me shokë!

-Ju thoni se ka qenë e ndaluar tortura? - e pyet gazetari ish-ministrin e Brendshëm. -Po të të them që ishte e ndaluar me ligj, nuk do të më besosh, por kjo është një e vërtetë që duhet të pranohet. Ka pasur raste që lejohej, për ekzemplarë të veçantë të ndaluarish, për ata që përbënin rrezik shoqëror. Në këto raste miratohej veprimi i torturës mbi ta.

-Ju, zoti Hekuran, …nuk keni asnjë faj? - pyet me frikën se mos e lëndojë gazetari.

- Fajet e mia i gjejnë të tjerët… duke filluar që nga Ramiz Alia që pranoi të futesha në burg për shtatë palë qejfe, (Hekurani qesh me lot). (Pyetjet dhe përgjigjet, duke përfshirë edhe ”qeshjen me lot” i kam shkëputur nga gazeta’ Panorama’ e datës 13 nëntor 2005).

--------Në një kanal televiziv qe ftuar për Nyrenbergun e tij mediatik, ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela. Në atë bisedë televizive, që e udhëhiqte dhe aty një gazetar riosh, e pyesnin Aranitin famëmadh për mëkatet që i kanë varur në qafë. Çela i flaku tej një e nga një të gjitha torbat e përgjegjësive. Për fatin e mirë të të ftuarit, drejtuesi i emisionit, për dëshmitarë, nuk thërriste dot aty asnjë nga priftërinjtë katolikë të varrosur në ato gropat e përbashkëta, pas proceseve gjykatore të Çelës. Gazetari nuk merrte dot në studio asnjë nga ministrat e Brendshëm të Hoxhës, të dërguar rregullisht në botën tjetër me verdiktet e Aranitit. Djaloshi nuk sillte dot aty Feçor Shehun e torturuar, (kam parasysh filmimin bardhezi të gjyqit që kryesonte Aranit Çela me theksin e tij lab). Që të na fliste për Aranitin, gazetari pat ftuar vetë Aranitin! Në një çast djaloshi i Pasnëntëdhjetës e pyet: “Zoti Çela, po ju nuk keni asnjë brejtje ndërgjegjeje?” Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë i përgjigjet: “Aspak. Unë zbatoja ligjet e asaj kohe.”

Ligjet e asaj kohe!.. Mbështetur mbi cilët ligje, mbi cilat prova i shpuri Aranit Çela para skuadrës së pushkatimit Beqir Ballukun, Feçor Shehun dhe të tjerët? Mbi cilat dëshmi? Mbi dëshmitë e Paranojakut të Madh? Krimi i Çelës bëhet më i rëndë kur të gjithë e kuptojnë se edhe ai kish të njëjtin opinion me ne, atë që akuzat ndaj shokëve të tij të maleve partizane nuk kishin si të qëndronin në këmbë! Pale ato të katolikëve të shquar, që nuk kishin këmbë fare!

Ligjet e asaj kohe!.. Është një nga shfajësimet më tipike të dëgjuara në gjyqin e Nyrenbergut nga goja e kriminelëve nazistë gjermanë: “Zbatoja ligjet! Zbatoja urdhrat!” Alia, Çela dhe Isai fshihen pas ligjeve dhe askush nuk u kërkon llogari për pjesën e parë të tragjedisë, atë të bërjes së ligjeve! Ata ishin deputetë të Kuvendit Popullor (asaj kovaçhanës që farkëtonte ligjet), që nga dita e parë e Kuvendit në dhjetor 1945 e deri ditët e fundit - në dhjetor 1990. Ata ishin anëtarë të Komitetit Qendror, që kur u shpik e deri kur u fik ai komitet! E këta kryekrerë të regjimit i trajtojnë tani ligjet sikur ato t’i paskësh sjellë nga qielli një mesagjer i Zotit!

Le të buzëqeshim duke sjellë ndërmend frikën e tyre të ndëshkimit, e cila pati kulme dhe rënie, por ama vazhdoi mbi 40 vjet dhe u davarit vetëm kur hyri shekulli i ri.

Ramiz Alia është mburrur me dhjetëra herë duke kërkuar Çmimin e Madh për ndërrimin e sistemeve dhe vendosjen e pluralizmit pa gjak. Por çdo me thënë “pa gjak”? Përse duhej që ndërrimi i sistemeve të kryhej me gjak?! Çudi, ëh?! Nuk e pat thënë njeri që duhej derdhur gjak për këtë. Aaaaaaa! Mos vallë shoku Ramiz ka në këtë frazë një vlerësim të sinqertë për dënimin që meritonte ai dhe shokët e tij? Se nuk ka shpjegim tjetër. Vetverdikti i Aranitit ishte gjaku. Pra, kishin plotësisht të drejtë të trembeshin dhe ne duhet t’i urojmë ata për shpëtimin e gjakut të tyre, pavarësisht se gjaku i shqiptarëve vazhdon e po shkon, ende, rrëke!.../MAPO/

KOMENTE